Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 tha se mënyra se si do të trajtohet çështja e mandatit të saj mund të ndikojë në të gjitha mandatet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Data që kërkon Gjykata e Lartë për mandatin tim do të ndikojë në mandatet e të gjithë anëtarëve të Kushtetueses, pra gjyqtari nuk e nis detyrën kur bën betimin, sikundër përcaktohet në Kushtetutë, por kur i ka përfunduar mandati gjyqtarit paraardhës”, tha Zaçaj.
Ajo u shpreh se iu drejtua Komisionit të Venecias si organ këshillimor, për faktin se në Kushtetuese krijohen 3 vakanca, përfshi edhe mandatin e Kryetares së Kushtetueses në 2025.
“Janë tre vakanca: Elsa Toska që ka dhënë dorëheqjen, anëtares Sonila Bejtja dhe mandati i Holta Zaçaj. Nëntë muaj më pak ose më shumë për mandatin e Kryetares nuk përbën hall, por po vendoset një praktikë e re që nuk është aplikuar asnjëherë në 32 vjet dhe mund të ndryshojë të gjithë procedurën e mandateve”, tha Zaçaj.
Ajo u shpreh se trupa funksionon me një përgjegjshmëri të madhe.