Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus, Vladimir Putin, ka biseduar në telefon me mbretin e Arabisë Saudite, Salman, dhe se të dy kanë rënë dakord që të vazhdojnë kontaktet në lidhje me zgjidhjen e konfliktit në Siri.

Ndihmësi i Putinit, Vladimir Kozhin, ka thënë se dy zyrtarët kanë folur për bashkëpunimin teknik dhe ushtarak. Për krizën në Siri, Putin ka folur sot edhe me presidentin e Iranit, Hassan Rohani.

Luftimet në Siri kanë vazhduar pavarësisht një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, e cila bën thirrje për armëpushim midis forcave qeveritare të Sirisë dhe luftëtarëve opozitarë, nisur nga data 27 shkurt.

Militantët e Shtetit Islamik dhe të Frontit Al Nusra nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar se Uashingtoni është duke konsideruar një plan B për Sirinë, nëse Damasku dhe Moska nuk tregojnë seriozitet për armëpushimin dhe negocimin e tranzicionit politik në Siri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: