SUDAN

Presidenti i përmbysur i Sudanit, Omar al-Bashir, është dërguar në një burg të sigurisë së lartë, disa ditë pasi u rrëzua nga pushteti dhe u arrestua nga ana e ushtrisë. Raportohet se presidenti Bashir, deri më tani ishte mbajtur i izoluar në një rezidencë presidenciale.

Omar al-Bashir u rrëzua nga pushteti pas disa muajsh protesta kundër tij. Ushtria njoftoi se ka marrë qeverisjen e vendit dhe se zgjedhjet e reja do të mbahen pas një periudhe tranzitore 2 vjeçare, shkruan Rel.

Bashir, e ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989. Ai është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila e akuzon atë për organizimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin e Darfurit në Sudan. Por, shteti i Ugandës ka ofruar azil për presidentin e përmbysur të Sudanit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ugandës, Henry Oryem Okello, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vendi do të konsideronte ofrimin e azilit për Bashirin nëse paraqitet një kërkesë nga ana e tij, pavarësisht urdhër-arrestit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Si vend anëtar i kësaj Gjykate, Uganda do të duhej ta dorëzonte z. Bashir nëse ai arrin në këtë vend. Gjykata ende nuk e ka komentuar qëndrimin e Ugandës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb