Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Conte, i ka bërë thirrje mazhorancës dhe opozitës të ulen për të zgjidhur krizën politike.

Në fjalën e tij, gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama, pas takimit me të në Kryeministri, Conte deklaroi se mazhoranca duhet t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës, ndërsa theksoi se dialogu duhet të zhvillohet pa kushte nga të dyja palët.


“Populli është shprehur pro anëtarësimit në BE, dhe kjo përbën një tjetër shtysë. Rama më konfirmoi se është i vendosur që të vijojë në këtë rrugëtim, në realizimin e reformave, kryesisht të Reformës në Drejtësi. Një pjesë e bisedës sonë u ndal te bashkëpunimi më i thelluar në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme.


Vëmendja jonë është përqendruar te aftësia e Shqipërisë për të zgjidhur krizën politike, që do tregojë dhe një sinjal të pjekurisë politike dhe institucionale. Mazhoranca dhe opozita kanë interes ta zgjidhin këtë krizë. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për zgjidhjen e krizës dhe dialog të zhvillohet më tej pa kushte”, deklaroi kryeministri Conte.


(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb