“Atentat ndaj demokracisë”. Kështu e konsideron ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vendimin e opozitës për të djegur mandatet duke kërkuar largimin e një qeverie legjitime. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” Kumbaro teksa komenton situatën politike në vend, shprehet se sjellja e opozitës përveçse po përpiqet të godasë parimet e demokracisë, por dëmton rënd edhe procesin e integrimit të vendit në BE. Sipas saj humbjet e njëpasnjëshme të opozitës në zgjedhje, por edhe frika nga institucionet e reja të reformës në drejtësi janë shkaqet e “irracionalitetit dhe tërheqjes në greminë të të gjithë opozitës aktuale”.

 

Ajo rendit dy skenarë se si mund të ecet më tej për të dalë nga ky ngërç: i pari është që të vijohet me plotësimin e vendeve vakante, ndonëse e pranon se kjo sjell normalitet dhe skenari i dytë ai i uljes në tryezën e dialogut. Ndërkohë që ajo ndonëse nuk i sheh deputetët e rinj si një opozitë e re, shprehet se Kuvendi ligjërisht do e vijojë mandatin deri në vitin 2021. Duke folur më pas për qeverisjen, Kumbaro ka komentuar edhe ndryshimet në qeveri. Ajo thekson se ndryshimet në qeveri ishin më se normale në mes të mandatit të dytë qeverisës dhe aq më shumë pas protestës së studentëve. Kumbaro ka komentuar edhe raportet e marrëdhënieve me kryeministrin.

Zonja Kumbaro vendi po përballet me një përplasje të fortë politike, ku veç protestave të dhunshme, opozita ka ndërmarrë dhe një akt ekstrem dhe të paprecedent, atë të djegies së mandateve të deputetëve. Çfarë po ndodh? Keni një koment?
Çfarë po ndodh, është pyetja që bëjmë të gjithë. E bëjmë ne që jemi në mazhorancë, njerëzit kudo nëpër Shqipëri, ndërkombëtarët çdo ditë, por edhe vetë anëtarë të opozitës që janë të përçarë e të çorientuar, sepse shohin përballë murin që po i bihet me kokë dhe jo perspektivë të qartë. Komenti im është se ky është një atentat ndaj demokracisë në përgjithësi dhe përtej Shqipërisë, por dhe atentat kundër procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Opozita nga ana e saj ka bërë kalë të betejës së saj politike pikërisht akuzat për vjedhje votash, teksa për disa muaj me radhë ka kërkuar largimin e kreut të Bashkisë së Durrësit, si të implikuar në blerjen e votave. Nëse mazhoranca do ishte përgjigjur më parë kësaj kërkese të opozitës mund të ishte shmangur kjo situatë?
Akuza që vijnë si retorikë politike në rrugë, nuk mund të sjellin tjetër reagim të mazhorancës përveç kërkesës për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë. Nuk e imagjinoj se si mund të reagohet ndryshe. Çdo sjellje tjetër është përçudnim i institucioneve dhe arbitraritet. Mazhoranca nuk është as prokurori as gjykatë. Dhe kjo mazhorancë e ka treguar se kur drejtësia ka folur kemi respektuar një më një vendimet e saj. Po kështu kur ne si mazhorancë mendojmë se kemi vend për të bërë një akuzë i jemi drejtuar organeve të drejtësisë.

Cilat janë sipas jush arsyet e vërteta të kësaj sjellje nga ana e opozitës?
Dëshpërimi nga humbjet e akumuluara dhe nga dështimet që ka ndërtuar me duart e veta lidershipi i opozitës, por edhe frika e lidershipit historik të kësaj opozite nga hyrja në fuqi e aksionit të SPAK dhe të organeve të vetingut. Kjo shpjegon irracionalitetin dhe tërheqjen në greminë të të gjithë opozitës aktuale.
Ndërkohë që tashmë ajo e ka bërë fakt të kryer djegien e mandateve. Si do vazhdohet më tej, do zëvendësohet opozita në parlament?
Fatkeqësisht pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës e ka bërë fakt, ndonëse, ju siguroj, ka prej tyre që brenda vetes së tyre dhe nën zë nuk e miratojnë këtë gjë. Ashtu sikurse ka të tjerë që hapur janë shprehur dyshues ose kundra.

Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj shoh dy skenarë:
I pari është ligjor dhe po ndodh; krijohen vakanca në parlament dhe ligji i hap rrugën kandidatit tjetër në listën e partisë përkatëse për të zënë vendin në parlament. Deputetët e rinj të opozitës po zënë vend, a do plotësohen vendet apo jo, mbetet për t’u parë. Por ngado që ta rrotullosh situatën kjo nuk është normale dhe nuk mund të shtiremi sikur jemi në një proces normal të marrjes së mandateve, sepse as lënia e mandateve nuk ishte një proces normal.
Skenari i dytë është ai që kërkojmë dhe urojmë: ulja në tryezë për të dialoguar dhe për ta futur situatën në shinat e kushtetutës dhe të kuvendimit institucional. Por theksoj të ulemi për dialog në interes të Shqipërisë dhe jo për pazare në interes të një partie.
Skenarin e parë s’e ndalojmë dot, të dytin duhet ta nxisim e ta inkurajojmë. Ne jemi gati.

Intervistën e plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb