TIRANË

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në Tiranë homologun slloven, Borut Pahor. Kreu i shtetit në një konferencë për mediat tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, ndërsa pohoi se kjo duhet të thellohet edhe më shumë.

“Mbështetja e Sllovenisë është domethënës dhe inkurajuese për të vijuar reformat për të plotësuar standardet. Marrëdhënie janë të shkëlqyera mes të dyja vendeve  dhe kjo ofron mundësi të reja. Në vendin tonë ka shumë investitorë sllovenë”, tha Meta.


Meta i pyetur nga gazetari i “News 24”, Klajdi Bodlli për krizën politike në Shqipëri, tha se palët politike duhet të reflektojnë për hir të interesave kombëtare dhe anëtarësimit  drejt BE-së. Gjithashtu ai u ndal edhe tek lëvizja e lirë e qytetarëve nga Kosova, ku sipas tij kushtet janë përmbushur të gjitha dhe nuk ka asnjë arsye për t’i mbajtur ata të izoluar.


“Kam theksuar rëndësinë e madhe se procesi i liberalizmit të vizave të qytetarëve të Kosovës është domosdoshmëri për t’i dhënë fund mbylljes së kosovarëve. Po kështu është shumë e rëndësishme që të vijojë dialogu Kosovë-Serbi. Nuk do të doja  të përqendrohem në çështje të brendshme. Jemi në kushtet e një krize politike dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë sistematike kam apeluar për dialog për të evituar këtë situatë. Palët të bëjnë hapa pas për të vendosur rendin demokratik dhe institucional. Kur vihen në radhë të parë interesat kombëtare duhet të na shtyjnë drejt zgjidhjeve të mençura të kësaj situate”, shtoi Meta.


(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: