Sekretari i OSBE, Tomas Greminger në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj tha se ndodhej në Shqipëri për të dhënë mbështetjen e pakufizuar që vendi të merrte Presidencën e OSBE-së në 2020.

“Falenderoj përpjekjet e bëra nga Shqipëria deri tani për të marrë kryesimin e OSBE-së për vitin 2020. Do të takohem me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta. Kryesia e OSBE nuk është një përpjekje e vogël, jo vetëm sipërmarrje nga aleatët, por duhet të mbështetet nga i gjithë shteti, do investim kohe përpjekjesh dhe burimesh. Nuk kam dyshim që mund ta kaloni me sukses. Do jetë një udhëtim frymëzues dhe shpërblyes që do rrisë profilin politik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”,- tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Greminger nuk iu shmang dot pyetjeve mbi krizën politike që po kalon vendi, zgjidhja e së cilës mund të vijë vetëm nga palët politike shqiptare. Ai inkurajoi dialogun dhe tha se ky i fundit realizohet vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe institucionet evendit.

“Neve padiskutim i ndjekim nga afër zhvillimet politike të Shqipërisë. Shpresojnë që ngërçi të kapërcehet, zgjedhja duhet të gjendet brenda për brenda, ne inkurajojmë dialogun, kërkimin e përbashkët të problemeve që ekzistojnë në vend. Aktorët politikë të angazhohen të gjithë për funksionin e institucioneve demokratike. Dialogu të realizohet duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet. OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse të gjithë aktorët nuk përfshihen në një zgjidhje”,- sqaroi Greminger.

Nga ana e tij, ministri Cakaj u shpreh se “të vetmet institucione legjitime janë ato ekzistueset.

“Çdo lloj dialogu duhet të zërë fill tek institucionet. Ne jemi të hapur për dialog, të fillojmë punën për të negociuar mbi reformën elektorale si me forcat jashtë, ashtu edhe brenda Parlamentit”,- u shpreh Cakaj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb