Ish-zëvendës kryeministrja, Senida Mesi e pranishme në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se ndihet e çuditur për ndyshimin e qëndrimit  të presidentit Ilir Meta, i cili deklaroi sot se është i gatshëm të dekretojë një datë tjetër për zgjedhjet lokale me qëllim që ky hap i tij, të garantonte dialog mes palëve politike.

Ajo tha se Partia Socialiste ka qenë e hapur duke ftuar vazhdimisht opozitën për dialog, por me kushtin, që mandati i qeverisë të mos negociohet.

“Jam e çuditur që presidenti ndryshoi qëndrim. Europa kërkon një element nga ne dhe ai është shteti i së drejtës. Detyra jonë është që të repektojmë ligjin. Nga ana jonë dialogu ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë por pa negociuar mandatin.Presidentin duhet të këtë një motiv dhe një kërkesë, sepse nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme, sepse të gjitha palët  paraprakisht kanë qenë dakord me datën.

Ku janë të kapura këto zgjedhje dhe ku janë të provuara? Kjo është një retorikë politike.  Si rezultat i procesit të vetingut,  Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk janë funksionale për momentin dhe do ishte shumë më komode edhe  për Ramën që mos ta bënte  reformën e drejtësi”- tha ajo.

Deputetja e PS-së, shtoi se qeveria do t’u mundësoje  të gjithë shqiptarëve të drejtën për të ushtruar votën e tyre, ndërsa kishte edhe një mesazh për ata qytetarë që do të tentojnë të prishin procesin zgjedhor me 30 qershor.

“Morëm rriskun për sipër dhe kjo është vlerësuar. Më mirë të kemi një sistem dhe drejtësi të drejtë sado që të vonojë se sa të ishte një sistem tjetër i vjetër dhe i korruptuar. Qeveria është e angazhuar për t’i garantuar çdo qytetari të Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të qeta dhe mos harrojmë se kemi edhe një Kod Penal dhe ai i ka të përcaktuara edhe dënimet me burg. Nëse ka një shqiptar që për hir të Lulit dhe të Kryemadhi që të hyjë  në një qendër votimi, sigurisht është i lirë ta bëjë. Ai që është i pakënaqur nuk mund të pengojë të drejtën e dikujt tjetër që është i pakënaqur  dhe që do të ndryshojë diçka përmes votës.”, tha ajo.

Gjithashtu Mesi u ndal edhe tek protesta e opozitës së bashkuar, e cila është vendosur për të shtunën në orën 19:00 përpara godinës së kryeministrisë. Sipas saj, kjo nuk është një protestë popullore, por e organizuar nga partitë politike për interesat e tyre.

“Nuk është problemi se nuk të bëjnë përshtypje. Këto nuk janë protesta qytetare, por protesta të opozitës të angazhuara politikisht, po kjo nuk do të thotë se në mesin e tyre ka persona që kërkojnë më shumë të ardhura dhe përmirësim të sistemit. Protesta që ne shohim këto ditë që ne shohim janë të koordinuara nga opozita dhe mesazhi im është që të bëheshin të qeta, paqësore dhe pa ushtruar dhunë. Ne kemi nisur fushatë dhe kemi prezantuar të gjithë kandidatët.  PS as sot dhe as dje, por që në fillim të vitit është organizuar me strukturat e saj për zgjedhjet” tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb