Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo përmes një statusi në Facebook, shpreh shqetësimin për atë që e quan diversion për krizën politike në Shqipëri, e cila po e zhvendos vëmendjen në kurriz të minoritetit grek.

Sipas tij, Prokuroria e Krimeve të Renda po thërret në pyetje disa pjesëtarë të minoritetit etnik grek, në lidhje me masakrën e Peshkëpisë. Ndërsa ngre shumë pikëpyetje për këtë ngjarje, Tavo thotë se drejtësia nuk duhet të përdoret nga politika dhe aq më keq të bëhet shënjestër një minoritet.

STATUSI I PLOTE
25 vite më vonë rikthehet çështja e Masakrës së Peshkëpisë. Ditët e fundit Prokuroria e Krimeve të Renda po thërret në pyetje disa pjesëtarë të minoritetit etnik grek. Përse tani?
Kriza e brendshme në vend kërkon diversion duke e zhvendosur vëmendjen në kurriz të minoritetit grek? A po përdoret drejtësia nga qarqe të caktuara politike? Minoriteti grek nuk mund të jetë kurrësesi as shënjestër dhe as rrugëdalje nga qoshsokaket e ngushta politike. Ky është një terror artificial dhe një shpresë për kundërvënie etnike. Njëri kah politik mund të dëshirojë prishjen e harmonisë politike por nuk duhet të gjejë shpëtimin duke u përpjekur të zhbëjë harmoninë dhe bashkëjetesën etnike.
Drejtësia të qëndrojë larg orientimit politik dhe të mos bëhet vegël e saj.
Harmonia dhe bashkëjetesa etnike ka prevaluar ndër shekuj, e do prevalojë edhe ndaj këtyre përpjekjeve artificiale të ditëve të fundit.

SI NDODHI MASAKRA
Më 10 prill 1994, në orën 02:40 një komando greke prej 8 personash me uniforma të ushtrisë greke hynë në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi pranë një reparti ushtarak. Komandoja vret në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagos tre shqiptarë. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin. Gazeta “Elefterotipia” publikon lajmin se vrasja është marrë përsipër nga grupi terrorist “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Epirit”. Nën këcënimin e armëve maskat që flisnin greqisht duke përmendur Vorio Epirin, i mbyllën 130 ushtarët në një dhomë, ndërsa dy oficerë të tjerë i izoluan në një zyrë tjetër. Ky ishte versioni zyrtar i shtetit shqiptar, porse në traktin e organizatës “MAVI” i botuar edhe nga shtypi grek, shkruhej: “Organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente në janar 1994, i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar, pranë vijës kufitare. Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga “Seksioni i mbledhjes së informatave”, skuadra PIRRO-l, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendjej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë. Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak.” Masakra e Peshkëpisë u pasua me një ngrirje të marrëdhënieve diplomatike mes Greqisdë dhe vendit tonë. Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. Përveç luftës diplomatike, policia greke arrestoi dy nga të dyshuarit, mirëpo ata morën dënime të vogla nga gjykata.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb