TIRANË

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka kritikuar ashpër Edi Ramën në raport me qëndrimin që ky i fundit mban për zgjedhjet dhe për votën në veçanti.

Ai tha në emisionin “Opinion” se nuk ka njohur kurrë një person të dytë si kryeministri, Edi Rama në historinë e pluralizmit, duke shtuar se ai ka një qëndrim patologjik ndaj votës dhe nuk e honeps dot atë.

“Ka patur dhe ka me 10- ra politikanë shqiptarë që nga themelimi i pluralizmi deri më sot, por nuk kam njohur kurrë në jetën time një të dytë si Edi Rama në qëndrimin e tij ndaj votës, kurrë. Edi Rama ka një qëndrim aq patologjik ndaj votës sa nuk e ka njeri dhe nuk e honeps votën”-theksoi Berisha.

Ish-lideri historik i demokratëve, Sali Berisha tha se sapo opozita dorëzoi mandatet dhe doli në rrugë, kryeministri vrapoi të dërgonte  lisat  në KQZ  dhe nuk bëri asnjë hap pas për të analizuar se çfarë mund të prodhonte ky veprim. Sipas tij, po të ishte ai në vendin e Edi Ramës nuk do t’i dërgonte kurrë listat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Po të lexoni letrën dje, ai thotë, shyqyr që s’po vini në zgjedhje, por i marr 61 bashkitë. Letra dje, ka këtë kryefjalë, “unë do marrë të gjitha bashkitë, hajde flasim për të tjerat. A i dorëzoi opozita mandatet? Në mënyrë më të rrufeshme, ai i çoi në KQZ. Një kryeministër që e kupton se çfarë po ndodh në vendin e tij  dhe nuk është verbuar nga pushteti, nuk e bënte dhe minutën e fundit të një muaji mbrapa nuk i dërgonte ato. Unë nuk do i çoja, ka rrezik as në orën 12 pas një muaji, nuk do i çoja”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb