“Shqiptarët për shqiptarët” kanë sjellë një tjetër histori prekëse të një familje në Krrabë, e cila jeton në varfëri ekstreme.

Banesa e tyre një katëshe është e rrënuar dhe e ftohtë. Muret janë të cara me myk dhe lagështirë. Tavani nuk mbahet më nga pesha e kohës, mungon kuzhina dhe sendet e tjera të domosdoshme, soba nxjerr më shumë tym sesa ngroh. Në këto kushte të vështira banon familja Misku prej një dekade.

Kryefamiljari, Bashkimi 46 vjeç vuan nga epilepsia kronike. Bashkëshortja, Dallandyshja kujdeset për të dhe fëmijët.

Dallandyshja: Kur burri sëmuret behet shume keq. Sëmundja i ka avancuar, natën e kapin krizat 2 ose 3 herë. Përplaset shumë. Duhet ta mbajmë me forcë. Fëmijët tremben shpesh nga sëmundja e babait të tyre.

Bashkimi: Vajzës i ka rënë edhe të fikët nga të bërtiturat e mia. Por unë jam i sëmurë rëndë.

Në familjen Misku në Krrabë janë tre vajza të vogla, prindërit nuk ua plotësojnë dot dëshirat e tyre, madje as ato minimalet si ushqimin.

Bashkimi: Kam tre vajza, i kam rritur me 90 mijë lekë të vjetra. I gënjej me 100 lekë. Nuk kam as bukë, në mëngjes shkojnë në shkollë pa ngrënë. Marrim pak ujë me sheqer, zbusim bukën që e hamë.

Dallandyshja: I them fëmijëve mos e mërzisni babin

Varfërisë dhe mjerimit të tejskajshëm i shtohet edhe i ftohti, në banesë era hyn nga të katërt anët.

Dallandyshja: Po vuajmë shumë, kjo nuk është jetë. Nuk kemi parë një ditë të bardhë.

Bashkimi, kryefamiljari vetë është rritur jetim , prindërit i kanë ndërruar jetë kur ai ishte vetëm tre vjeç. Për të u kujdesën 5 vëllezërit. Para dy muajsh i ndërruan jetë dy vëllezërit. Familja Misku ka mbetur në mëshirë të fatit, brenda katër mureve, që përveç trupit të ftoh edhe shpirtin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb