KROACI- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë sot në Samitin e jashtëzakonshëm të Krerëve të Shtetit të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, zhvilluar në Zagreb të Kroacisë. Samiti u thirr nga Presidentët e Kroacisë e Sllovenisë, me synim forcimin e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, si dhe rikthimin e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë në këto momentesh sfidash e kërcënimesh.


Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin: Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer. Samiti u fokusua në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e mbajtur, Presidenti Nishani shprehu, shqetësimin për zhvillimet ndërkombëtare pas sulmeve terroriste të Parisit dhe i konsideroi ato si kambana të forta alarmi. Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se, për shkak të këtyre zhvillimeve dhe vulnerabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në këtë rajon.

Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit, Presidenti Nishani, u shpreh ndër të tjera s: Shqipëria ka mbështetur dhe është në favor të konkretizimit të iniciativës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Presidencës shqiptare të SEECP-së dhe që është parë me interes edhe nga Këshilli i BE-së dhe Vendet Anëtare në takimin me Këshillin kundër Terrorizmit, më 20 nëntor 2015.

Kreu i Shtetit u ndal në fjalën e tij edhe në procesin e zgjerimit, duke iu bashkuar konkluzionit të bashkëorganizatorëve të këtij Samiti, për rivitalizimin e procesit të zgjerimit dhe konsiderimin e tij si një proces politik dhe jo thjesht teknik, konkluzion ky që u reflektua edhe në konkluzionet finale të Samitit.

Në kuadrin e këtij aktiviteti, Presidenti Nishani, zhvilloi biseda të veçanta me Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden, me Presidentin e Këshillit Evropian, Tusk, me Presidentin e Austrisë, Fischer si dhe me homologët e rajonit të Evropës Juglindore, duke ndarë me ta shqetësime dhe vlerësime për situatën në Shqipëri dhe në rajon.

Zëvendëspresidenti amerikan Biden në fjalën e tij e konsideroi Shqipërinë një lider në rajon për kundërterrorizmin. Në fund të Samitit krerët e shteteve të procesit të Brdo-Brijunit, së bashku me të ftuarit e posacëm miratuan konkluzionet përkatëse.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: