Këtë 9 Nëntor, Gjermania dhe bota përparimtare kremtojnë 35 Vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit. Moment emblematik që shënoi shembjen e komunizmit në Europën Qëndrore dhe Lindore, ribashkimin gjerman dhe atë europian. Siç shprehet hollivudiani i famshëm Tom Cruise, “9 Nëntori 1989 ishte ndryshimi i jetës sonë; në të vërtetë, Lufta e II- të Botërore përfudoi më 9 Nëntor 1989”.
Ashtu si në shumë referenca të njohura historike, ky fat historik për Gjermaninë dhe Europën nuk erdhi spontanisht e as nuk u inskenua nga dikush. Ai ishte reagim dëshpërues daj arritjeve mbresëlënëse të Gjermanisë Perendimore si “ mrekullia ekonomike dhe sociale” në më pak se 10 vjet mbas përfundimit të Luftës.
Ashtu si e kam përmendur dhe në librin “ Berlini pa mure”, në ish Gjermaninë Lindore, në vend të premtimit për një vend më të mirë, nën thundrën e një milion trupave ushtarake ruse, ishte instaluar një diktaturë e egër e kuqe, me mohimin ose kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; ish RDGJ-ja po varfërohej si pasojë e papunësisë në rritje; për ndjekjen dhe persekutimin e atyre që mendonin ndryshe kishte një aparat të dhunshëm gjigand me emrin e tmerrshëm STASI.
Ndërkohë, Muri si impiant vdekjeprurës shënoi shembjen e imazhit dhe propagandës totalitare. Arratisjet për në pjesën perendimore filluan qysh ditën e tretë të ngritjes së tij. Atë ditë, “ fotografia që bëri xhiron e botës”, e fotografit emblematik gjerman Peter Leibing ishte arratija spektakulare e një roje kufitare, nga pjesa lindore e Berlinit në atë Perendimore, i shoqëruar me thirrjet nga ana tjetër e Murit “ Hajde këtu!” Ishte 19 vjeçari Conrad Schumman, i cili kaloi në sektorin francez e pastaj u vendos në Bavari. Siç ka thënë 30 vjet më vonë, “ jeta e tij u bë plotësisht e lirë vetëm pas shembjes së Murit” 136 vetë u vranë në përpjekje për kapërcimin e Murit famëkeq.
Perëndimi e sidomos SHBA-të, të shqetësuar për ngritjen e Murit filluan me kundërmasa për ta çbërë atë sa më shpejt. Disa ditë më vonë, Presidenti Kenedi dërgoi në Berlin zëvendësin e tij, Presidentin e ardhshëm, Lindon Johnson dhe gjeneralin e famshëm Clay; ky i fundit kishte drejtuar sektorin amerikan në Berlin pas lufte.
Vetë Presidenti Kenedi shkoi në Berlinin Perendimor më 26 Qershor 1963, menëherë pas zgjidhjes së krizës me Kubën. Me fjalimin e tij, mes egzaltimit të mbi gjysëm milionë vetëve që nisi dhe u mbyll me pohimin emblematik në gjuhën gjermane “ Ich bin ein Berliner!” ose Unë jam Berlinez!” Kenedi i thuri një himn madhështor kryeqytetit të ribashkuar të Europës së re. Edhe pse me 700 fjalë dhe zgjati vetëm 5 minuta, ai fjalim i dha goditjen e parë dërmuese Murit aty ngjitur me të. Fjala e Kenedit ishte Pretencë e fuqishme kundër sistemit komunist. Atyre që kishin iluzione për komunizmin, të këqiat, bashkëpunimin dhe mundësitë e zhvillimit në të, ai iu drejtua qartë dhe thjeshtë: “ Le të vijnë ta shohin në Berlin!”.
Goditjet ndaj atij simboli të tiranisë lindore vijonin pa rreshtur nga të gjitha anët. Padyshim që këtu kanë luajtur rol qëndror, për vetë rolin dhe peshën e SHBA-ve vizitat dhe mesazhet e presidentëve pasardhës në Berlin.
Mbas Kenedit, në vitin 1969 aty shkoi Presidenti Richard Nixon, i cili deklaroi se pavarësisht nga Muri: “Berlini është një shtet, një komb”.
Në Korrik 1978, Presidenti Jimy Carter shqiptoi në gjermanisht fjalët tingëlluese:” Was immer sei, Berlin bleibt frei”( Sido që të ndodhë, Berlini mbetet i lirë )
Nga brenda Gjermanisë, themelet e Murit famëkeq i shkundi në vitet 70 dhe më tej “ Ostpolitika” legjendare e ish Kancelarit gjerman Willy Brandt, i cili e quante Murin e Berlinit “ kamp përqëndrimi për RDGJ-në”.
E njohur ndryshe si politika e “ndryshimit nëpërmjet afrimit ( Wandel durch Annäherung) Ostpolitika vizionare mundësoi çtensionimin e gjendjes midis dy kampeve dhe vendosjen e marrëdhënieve normale me shtetet e lindjes ( përjashto Shqipërinë, e vetmja që refuzoi Ostpolitikën), duke e kthyer Perendimin në një vitrinë të vërtetë të gjallë për gjithë lindjen. Ndaj, në fakt, dhe nderimi i Brandt-it me Çmimin “ Nobel” të Paqes në vitin 1971 ishte laurimi i “Ostpolitikës”.
Rol të madh kanë luajtur dhe artistët më të shquar të letërsisë dhe sidomos muzikës, aq sa me të drejtë thuhet se të parët që shembën murin ishin pikërisht ata. Elvis Presley, Beatëllsat, Rolling Stones, Abba, Michael Jackson me koncertet e tyre pranë Murit e deri te super ylli amerikan David Hasselhoff me hitin e tij që i parapriu shembjes së Murit “ Looking for freedom” janë pjesë përbërëse e bukur e historisë së shembjes të Murit të Berlinit.
Të gjitha këto dhe faktorë të tjerë të jashtëm dhe të brendshëm ndikuan në përshpejtimin e rrëzimit të Murit të Berlinit. Goditjen fatale paraprake ia dha aty përpara Portave të mbyllura të Brandenburgut në Berlin, Presidenti amerikan Reagan më 12 Qershor 1987. Mes brohoritjeve dhe entusiazmit të pafund, aty, ngjitur me Murin ndarës ai i drejtoi Gorbaçovit thirjen e tij historike: “Zoti Sekretar i Përgjithshëm, në rast se kërkon paqe, në rast se kërkon begati për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, atëhere eja këtu, Zoti Gorbaçov, hape këtë Portë, Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë Mur!”
Fundi pa kthim dhe “funerali” i Murit filloi më 27 Qershor 1989, kur në prani të Ish-Ministrit austriak të Punëve të Jashtme, Alois Mock dhe Ish-Ministrit të Jashtëm hungarez Gyula Horn filloi hapja e kufirit hungaro-austriak; ndërsa më 19 Gusht, punonjësi 43 vjeçar i policisë kufitare hungareze, Arpad Bella hyri në histori kur hapi me guxim dhe kurajo qytetare traun e kufirit në Shopron, duke mundësuar kalimin e mbi 600 shtetasve gjermanolindorë për në RFGJ. Siç u shpreh më 19 Gusht 2009 ish Presidenti i Komisionit Europian Barroso, “ atë ditë të “piknikut paneuropian”, hapja e kufirit në Shopron mbushi me shpresa miliona qytetarë për një Europë të lirë e të bashkuar”.
Dallgët demokratike anti – mur sa vinin dhe shtoheshin. Në fund të muajit Shtator, 1600 gjermanolindorë ishin ngujuar në Ambasadën gjermanoperendimore në Varshavë, ndërsa 6.000 të tjerë, po në atë Ambasadë, në “Palais Lobkowitz “ në Pragë, duke kërkuar azil për në perëndim; më 30 Shtator, nga “ ballkoni i historisë” siç u “pagëzua” ballkoni i Ambasadës gjermane në Pragë, ministri i jashtëm legjendar gjermanoperendimor Dietrich Genscher, i sapoardhur posaçërisht nga Nju Jorku shpalli mes entusiazmit të papërshkruar hapjen e kufirit me RFGJ-në; me gjysmë fjalinë e tij emblematike “ ju njoftoj se nga sot e tutje të përfunduar nga kori i 6000 vetëve ” të shkojmë në RFGJ”!
Padyshim, që krahas rolin amerikan, atij perendimor në përgjithësi dhe faktorit të brendshëm gjerman, përcaktues në shembjen e Murit ishte dhe lideri sovjetik i asaj kohe, M. Gorbaçovi; me reformat e tij në kuadrin e Glasnost dhe Perestrojkës ai i dha shkelmin e fundit Murit dhe tundi nga themelet sistemin e dështuar lindor. Në fillim të muajit Tetor 1989, ai ishte në Berlinin Lindor, për të marrë pjesë “demek” në festimet e 40 vjetorit të krijimit të RDGJ-së, ku ishte pritur si hero shpëtimtar nga turmat e etura për liri. Ndërsa Honekeri, tërësisht jashtë realitetit, në mbledhjen jubilare më 7 Tetor pohonte se “ socializmi do të marshonte fitimtar dhe se kufijtë gjermano-gjermanë do të mbeteshin të mbyllur edhe në 50 apo 100 vitet e ardhëshme” pa e kuptuar se vetëm një javë më vonë do ta zëvendësonin me Egon Krenzin. Ndërkohë, opozita gjermanolindore, e grupuar në “ Neue Forum ( Forumin e Ri) në Berlin dhe Laipcig kishte filluar ” Demostratat e së Hënës”. Paralajmërimin më të fundit dhe serioz ajo e dha më 4 Nëntor me manifestimin madhështor në Sheshin qëndror të Berlinit Lindor, në “Alexander Platz” me 1 milion pjesëmarrës. Numërimi mbrapsht për diktaturën lindore kishte filluar.
Dita e madhe e lirisë erdhi tre javë pas ngjarjeve të sipërpërmendura. Siç ka pohuar Egon Krenz, ditën e Enjte, më 9 Nëntor 1989 në Berlin zhvillohej Plenumi i X-të i KQ të Partisë Komuniste Gjermane; ndër të tjera aty u miratua Urdhëresa mbi udhëtimet e shtetasve gjermanolindorë në RFGJ. Në orën 17:15, Krenz takon Günther Schabowskin, Antar i Byrosë Politike dhe Shefi i Partisë për Berlinin, ku i dorëzon urdhëresën e sipërpërmendur, për ta bërë të njohur në Konferencën e Shtypit më 9 Nëntor 1989, në mbrëmje në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit në “Ost-Berliner Mohrenstraße”.
Pikërisht në momentet përmbyllëse, Schabowski me një letër në dorë bën njoftimin sensacional se “ Shtetasit e RDGJ-së mund të udhëtojnë jashtë vendit për afate të shkurtëra kohore, pa qenë nevoja të plotësojnë ndonjë kusht” E megjithatë, gjermanishten burokratike të SED-it zor se e kuptonte njeri. Ndaj, gazetari Ricardo Ehrmann bën pyetjen vendimtare se kur hyn në fuqi kjo Urdhëresë. Përgjigja e tij që tashmë ka hyrë në librat e historisë ishte: ”Mesa di unë, pa vonesë, menjëherë ( nach meiner Kenntnis, unverzüglich, sofort).
Kjo fjali shënoi fillimin e fundit të Murit të Berlinit sepse kjo Konferencë ishte “Live”. Kryebashkiaku i Berlinit Perendimor menjëherë dha sinjalin dhe turmat qindramijshe të berlinezëve u grumbulluan përpara Mureve. Rojet e kufirit tek Muri nuk dinin si të vepronin. Në fakt, më 3 Nëntor 1989, Egon Krenz kishte urdhëruar ndalimin e përdorimit të armëve në raste të tilla. Forcat policore nuk bënë më rezistencë dhe muri filloi të çahej, atje, në pikën e tij më simbolike, tek Portat e Brandenburgut. Mesi i natës, duke u gdhirë 10 Nëntori e gjeti Murin të shembur, ndërsa mbi 2 milionë banorë të egzaltuar nga të dy pjesët e Berlinit kërcenin, këndonin, brohoritnin mbi rënojat e “kufirit më çnjerëzor që ka njohur historia”. Lajmi dhe fotot bënë xhiron e botës. Kancelari Kohl ndërpreu menjëherë vizitën në Poloni dhe thiri mbledhjen e Jashtëzakoshme të Qeverisë për situatën. Kjo ishte siç kanë thënë “nata më e gjatë dhe dita më e madhe” në historinë gjermane.
Duke ngritur lart rolin madhor të Helmut Kohl në shembjen e Murit, një ndër “baballarët” e shembjes së Murit, ribashkimit gjerman dhe europian, Ish-Presidenti amerikan, Xh. Bush është shprehur se “ishim me fat në atë pafatësi, që në krye të Gjermanisë ishte Kohli Kancelari i ribashkimit. Ndërsa ish Kancelarja Angela Merkel, thotë se” Kohli kreu një shërbim të madh dhe historik, kur së bashku me partnerët e tij hapi paqësisht, në mirëbesim të madh dhe reciprok rrugën e bashkimit gjerman dhe Europian”.
Vlerësime të tilla të larta kanë bërë dhe kundërshtarët politikë të Kohlit -paraardhësit e tij social – demokratë Villy Brandt dhe Helmud Schmidt.
Vetë Kohli, me modesti e ka quajtur “ fat dhe lumturi të madh që iu dha mundësia dhe përgjegjësia për këtë arritje madhështore të popullit gjerman dhe më gjerë.”
Së fundi, pavarësisht nga zhgënjimet e mëdha gjatë 35 viteve të fundit, ato nuk e zbehin, por e nxjerrin dhe më shumë në pah nevojën e shembjes së mureve që vazhdojnë të ngrihen kudo, brenda vendeve dhe midis Perëndimit e Lindjes.
(BalkanWeb)