KRUJË- Policia e Krujës ka asgjësuar sot 1040 rrënjë kanabis sativa dhe ka vënë në pranga kryeplakun e fshatit Bura për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre. Në  zbatim të Planit të Operacionit “START 2015”, pas  informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e efektivave të Policisë Krujë është ushtruar kontroll në fshatin Bura ku ka rezultuar se në një ullishte e pemëtore janë gjetur të mbjella në dy parcela 1040  bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Bimët arrinin një lartësi deri në 18 cm, ndërsa policia ka marrë mostra për ti analizuar dhe ka bërë asgjësimin e plotë të bimëve.

Ndërkohë nga ana e Specialistëve për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë  u bë arrestimi në flagrancë i 57-vjeçarit Basri Tufa, banues në fshatin Bura, Nikël, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “ dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas policisë, Tufa në cilësinë e Kryetarit të fshatit ka shkelur ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i cili e ngarkon atë me detyrimin për të dhënë informacion me shkrim për sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike në fshatin që mbulon dhe nuk ka dhënë asnjë informacion dhe as ndihmesë për identifikimin e parcelave dhe autorëve.

Nga ana e bluve janë kryer veprimet e para hetimore dhe po punohet për gjetjen e autorëve të kultivimit të dy parcelave me bimë narkotike.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: