KRUJË- Një ngjarje aspak e zakonshme ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Bilaj të Krujës, kur hajdutët kanë shkuar për të vjedhur por janë detyruar tja mbathin pas pritës së banorëve.

Ngjarja sipas burimeve zyrtare ka ndodhur në lagjen “Dobrozë”, kur 2 persona janë futur në fshat me një fuoristradë të prodhimit amerikan, tip “Dodge” pa targa vetëm me një mbishkrim “Auto A1” në pjesën e përparme. Por meqenëse ky fshat gjatë këtyre 25 viteve është bërë shpesh pre e vjedhjeve të shumta e të vazhdueshme, banorët janë organizuar dhe bëjnë roje gjatë gjithë natës sipas lagjeve. Kështu ka ndodhur edhe në këtë rast.

Sipas banorëve ka qenë rreth mesnatës kur kjo fuoristradë është dukur në këtë lagje dhe fshatarët i kanë bllokuar rrugën duke i venë kryq një makinë të tyren. Hajdutët duke mos patur asnjë mundësi për tu larguar kanë braktisur fuoristradën duke e shoqëruar largimin e tyre me të shtëna armësh. Ata janë larguar përmes arave.

Ndërkohë në automjetin e hajdutëve janë konstatuar mjete prerëse metalike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për thyerje. Banorët kanë lajmëruar policinë, e cila ka shkuar me urgjencë në vendngjarje dhe forca të shumta të saj kanë rrethuar të gjithë zonën për të rënë në gjurmët e hajdutëve. Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes dhe ka marrë shenjat e gishtave në automjet, për të zbuluar emrat e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: