PERRENJAS

Si pasojë e bllokimit të buxhetit në bashkinë e Përrenjasit janë mbyllur këtë mesjavë shërbimet në kopshtet dhe çerdhet. Shkak për krijimin e kësaj situate sipas kryebashkiakes së Përrenjasit, Miranda Rira është bërë bllokimi i buxhetit nga këshilltaret e të majtës. Ndërkohë sipas Rirës, miratimi i buxhetit të kësaj bashkie po pengohet edhe nga ana e deputeteve socialiste Taulant Balla dhe Nure Belba.

Ata sipas Rires, ju bëjnë presion këshilltarëve për mos miratimin e buxhetit dhe kjo ka bere qe bashkia Përrenjas te jete e vetmja bashki në qarkun e Elbasanit që ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2019.Prindërit e fëmijëve te kopshteve dhe çerdheve theksojnë se janë njoftuar që nga e enjtja e kësaj jave të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhe pasi ato do të jenë të mbyllura.

Ndërkohë sipas Rirës kopshtet do të jenë hapur, por nuk do të ofrojnë ushqim për fëmijët. Kryetarja e bashkisë së Përrenjasit Miranda Rira e zgjedhur në këtë detyrë si përfaqësuese e LSI-së është shprehur se kjo është e një lojë e pistët dhe me prapavije politike te deputeteve te mazhorances pasi shumicën në Këshillin bashkiak e ka e Partia Socialiste. Sipas kryebashkiakes shpesh herë i janë bërë shkresa Këshillit bashkiak, prefekturës dhe Kryeministrit Rama, por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një përgjigje për zgjidhjen e kësaj situate me pasoja për komunitetin e bashkisë së Përrenjasit.

“Si pasoje e bllokimit te buxhetit, situata aktuale është alarmante pasi kopshtet dhe çerdhet nuk kanë ushqim, zyrat nuk kanë letër dhe bojë, punonjësit nuk kanë me çfarë të punojnë, të gjitha shërbimet janë të bllokuara deklaroi Rira. Kjo që po ndodh është totalisht politike për të dëmtuar dhe penguar punën e kryetares së bashkisë”- u shpreh përpara mediave Miranda Rira, kryetare e Bashkisë Prrenjas. Ndërkohë qytetarët e Përrenjasit ishin mbledhur para hyrjes së godinës së bashkisë Prrenjas në protestë për të kërkuar miratimin e buxhetit dhe kthimin në normalitet të çerdheve dhe kopshteve në këtë bashki.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb