PRISHTINËPresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozin, si dhe një grup të përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme nga Shqipëria.
Referuar njoftimit për shtyp të vetë Presidencës së Kosovës bie në sy fakti se gjatë takimit kryebashkiakja e Sarandës e ka “tepruar” paska me komplimentat që i ka bërë Thaçit, të cilin e ka krahasuar me një pemë ulliri. “Kryetarja e Sarandës ia ka dhuruar presidentit Thaçi një pemë ulliri. ‘Kjo është një bimë fisnike dhe e paqes. Ju përfaqësoni të njëjtat tipare’, ka thënë ajo, duke ia dhuruar presidentit bimën e ullirit”, – njofton zyra e shtypit të Presidentit të Kosovës. Nuk dihet se cili ka qenë reagimi i Thaçit pas këtij krahasimi të pavend por e sigurtë është që ky kompliment i kryebashkiakes së Sarandës do ketë shkaktuar ilaritet gjatë takimit zyrtar me dyer të mbyllura .
Sa i përket axhendës serioze të këtij takimi bëhet e ditur se Thaçi e falënderoi kryetaren Koka për mikpritjen e përzemërt dhe tradicionale të turistëve nga Kosova. Mirëpo, Thaçi ka thënë se bashkëpunimi strategjik ndërmjet dy shteteve duhet të jetë më dinamik edhe në fusha të tjera. “Shqipëria është partneri ynë i natyrshëm strategjik. Dua të shoh më shumë biznese të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas. Na duhet një dinamikë e re në shkëmbimet tregtare”, ka thënë presidenti i Kosovës.
Ai ka inkurajuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të investojnë në Kosovë në sektorë të ndryshëm, duke kontribuuar kështu në zhvillimin ekonomik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës që edhe këtë vit kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.
“Duam të forcojmë shkëmbimet ekonomike me Kosovën, prandaj kemi sjellë përfaqësues të bizneseve nga Saranda, të cilët kanë sjellë produktet e tyre me vete”, ka thënë ajo.
Kryetarja Koka ka thënë se është po ashtu e rëndësishme që nga kjo vizitë të nxisim bizneset nga Kosova që të investojnë në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb