FIER- Kreu i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj u ka dhënë përgjigje sot zërave për një rikandidim të mundshëm në zgjedhjet e 21 qershorit, duke deklaruar se projektet e tij zgjasin deri në qershor. Zeqaj theksoi se nuk ka ndërmend të rikandidojë për një tjetër mandat në krye të bashkisë, duke pohuar se do t’i hapë rrugë zgjedhjes së figurave të reja, por ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të dorëhiqet.
Në një deklaratë për media, në mbyllje të një marrëveshje binjakëzimi me Bashkinë e Janinës, Zeqaj tha se projektet e tij mbyllen deri në qershor, kohë që përkon edhe me zgjedhjet e reja të pushtetit lokal.
Në përgjigje të interesit të medias, pas debatit të fundit lidhur me deklaratat e kryesocialistit Rama se kryebashkiakët me tre mandate nuk rikandidojnë më, Zeqaj ka thënë se ai ka qenë e mbetet socialist dhe ka qëndruar në këtë post për tre vite me radhë me votat e socialistëve.
“Kandidimi nuk është aspirata ime, nuk është as projekt, as aspiratë. Unë do të vazhdoj projektet e mia deri në qershor. Ky është synimi im; të vazhdoj projektet e mia aq sa më mandaton ligji”, ka thënë Zeqaj. Me këtë dekaratë, Zeqaj duket se tërhiqet para Ramës, pasi vetëm një ditë pas lajmit të prokurorisë, që e vuri atë në akuzë për abuzimin me banesat sociale në këtë qytet, ai deklaroi se kjo ishte një loje për ëe penguar rikandidimin e tij.
Por, edhe pse Zeqaj deklarohet se nuk e ka aspiratë rikandidimin, zëra nga radhët e Partisë Socialiste në bazë flasin për një rikandidim të mundshëm të tij. Kjo, jo, e bazuar tek dëshirat personale të kryetarit aktual, por tek besimi që kryesocialisti Rama ka tek ai për të mbajtur Fierin një bastion të majtë, gjë që shkon përtej asaj që deklaron Zeqaj.
Pas dorëheqjes së kreut të bashkisë së Pogradecit u aludua se edhe kryebashkiaku i Fierit do ta bënte një gjë të tillë dhe se mund të kandidojë i pavaruar në zgjedhjet lokale, por vetë Zeqaj nuk ka folur kurrë për diçka të tillë.
Baftjar Zeqaj është në përfundim të mandatit të tretë si kryebashkiak i Fierit. Gjatë kohës që ai ka drejtuar qytetin, është njohur si një njeri që bëri revolucion në projektet planifikimin urban, por edhe për qeverisjen demokratike të institucionit.

Pesë ditë më parë, kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi dha dorëheqjen nga kjo detyrë me argumentin se nuk dëshironte të influenconte në zgjedhjen e një kandidati të ri për zgjedhjet e 21 qershorit. Ndërkohë që Prokuroria ka nisur një hetim për kreun e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe për atë të Peshkopisë, Ilir Krosi me akuzën e lejimit të ndërtimeve të paligjshme. Edhe Zeqaj është pjesë e një hetimi të Prokurorisë, pas kallëzimit të disa banorëve për abuzim me banesat sociale.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: