GJIROKASTËR –  Flamur Bime, kryebashkiaku i Gjirokastrës ka hedhur poshtë sot të gjitha akuzat e bëra ndaj tij për dhënien e një leje ndërtimi të jashtëligjshme dhe nëpërmjet një mesazhi në Fb, ka theksuar se “të gjithë dokumentacionin jemi të hapur ta vëmë në dispozicion të IKMT dhe Prokurorisë” duke sqaruar se IKMT ka ardhur në Gjirokastër më në fund “me kërkesën time personale.”

Gazetarja e “News 24”, Eri Muço tha se Bime nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët, nuk i dha përgjigje, pyetjes, nëse i është kërkuar dorëheqja nga Kryeministri Rama.

Bime ka shkruar: “Në respekt të qindra telefonatave e mesazheve të dërguara prej jush e në pamundësi për t`ju përgjigjur të gjithëve, ju falenderoj nga zemra dhe ju informoj se me kërkesën time personale, më në fund IKMT erdhi edhe në Gjirokastër. Ky është një tregues i funksionimit ligjor e demokracisë.

Ne disponojme të gjithë dokumentacionin ligjor, që provon punën dhe aktivitetin e bashkisë të mbështetur mbi rregullat, rregulloret e legjislacionit në fuqi. Të gjithë dokumentacionin jemi të hapur ta vëme në dispozicion të IKMT dhe Prokurorisë. Jam i bindur se në të gjithë punën dhe veprimtarine tonë jemi të udhehequr nga respektimi maksimal i ligjit. Ju falenderoj për mbështetjen tuaj,” -përfundon mesazhi.

Dje, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzoi Bimen si dhe disa zyrtarë të tjerëpër shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Fjala është për një vendim të miratuar prej tij në kohën kur drejtonte KRRT-në e Gjirokastrës për ndërtimin e një pallati disakatësh në lagjen “18 shtatori” në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb