Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE- Kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj thirri sot në një takim me dyer të mbyllura, në zyrën e nënprefektit të kësaj zone, të gjithë drejtuesit e institucioneve që janë propozuar nga Partia Socialiste. Temë e takimit, siç bëhet e ditur nga burime të sigurta, ishte kërkesa e kryebashkiakut për rritjen e performancës në shërbim të qytetarëve.

I ashpër dhe i prerë thuhet të ketë qenë kreu i bashkisë në qytetin verior, teksa ka analizuar punën e disa institucioneve nisur dhe nga ankesat e qytetarëve. Burime brenda këtij takimi bëjnë të ditur se kreu i bashkisë, prerazi u ka kërkuar drejtuesve të institucioneve që përfaqësojnë Partinë Socialiste, të përmirësojnë shërbimet ndaj qytetarëve ose të lëshojnë vendet e tyre të punës. Duket se toneve të ashpra të kryebashkiakut nuk i janë përgjigjur të emëruarit e PS-së, teksa ky i fundit i ka futur ata në një periudhë prove.

Pas takimit, i pyetur lidhur me zhvillimet brenda mbledhjes se mbyllur, kryebashkiaku i Pukës pranoi se krerët e institucioneve që përfaqësojnë Partinë Socialiste duhet të bëjnë hapa para.

“Ne duhet të përmirësojmë gjithnjë shërbimin ndaj qytetarëve dhe duhet tu përgjigjemi atyre ashtu siç ju kemi premtuar në fushatën elektorale. Puna duhet të fillojë nga drejtuesit e institucioneve tona, të cilët janë gjithnjë në kontakt me qytetarët. Asgjë nuk i pengon këta të fundit që të ofrojnë shërbim çdo ditë në rritje për qytetarët” -u shpreh kreu i bashkisë së Pukës në dalje nga takimi, teksa shtoi se nuk kishte lëvizje emrash, por kjo nuk përjashtohej nëse puna nuk bënte hapa akoma më përpara.

“Unë sot drejtorëve u kam bërë një thirrje që të ecnin në përputhje me programin që u premtuam dhe kërkesat kanë qenë vetëm ato për rritjen e performancës, disiplinimin maksimal të administratave që drejtojnë dhe të shmangin nepotizmin. Këto janë ndër detyrat me parësore” – u shpreh Gjonaj.

Mësohet se takimi i thirrur nga kryebashkiaku u zhvillua menjëherë pas kthimit të tij nga qëndrimi dy ditor në Tiranë, ku thuhet të jetë porositur nga krerët e PS në qendër edhe për organizimin e zgjedhjeve brenda strukturave të PS-së që pritet të fillojnë së shpejti. Partia Socialiste e Pukës shpesh është përballur me përplasje të brendshme, ku socialistët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me emërimin e drejtorëve dhe mungesën e vendeve të punës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: