TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda cakton dy mjekë kardiologë për të analizuar gjendjen shëndetësore të ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili. Nëpërmjet avokatëve, Xhelili, i akuzuar për shpërdorim detyre të personave që ushtrojnë funksione publike, kërkon të shmangë masën “arrest me burg”. Kryebashkiakët dhe të dënuarit “VIP” të botës së krimit dalin të “sëmurë”.

Gjykata e Krimeve të Rënda iu ka kërkuar dy ekspertëve kardiologë që të nxjerrin një raport përfundimtar për gjendjen shëndetësore të ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili.

Ai ndodhet në dhomat e paraburgimit prej tre muajsh, për akuzën e shpërdorimit të detyrës të funksionarëve të lartë publikë.

Ditën e djeshme dy mjekët kardiologë pasi bënë betimin para gjykatës, pritet që të nisin ekzaminimet për të përcaktuar nëse Xhelili vuan ose jo nga probleme kardiake dhe nëse po, a i rrezikohet jeta nëse qëndron në dhomat e paraburgimit.

Ish-kreu i Bashkisë Dibër, që u arrestua një ditë pas transmetimit të video-skandalit, ku i kërkoi vajzës 20-vjeçare Anisa. A marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune, aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor.

Avokati mbrojtës i Xhelilit ka kërkuar lirinë e klientit me pretendimin se po i rrezikohet jeta në qeli, pikërisht për shkak të problemeve kardiake.

Në lidhje me gjendjen shëndetësore të ish-kryebashkiakut, ekspertet do të paraqesin një raport, të cilin do ta dorëzojnë në gjykatë në datën 20 shtator.

Më pas, trupi gjykues do të vendosë për ndryshimin apo jo të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun.

Ndërkohë, burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se brenda kësaj jave prokuroria duhet të përfundojë hetimet dhe ta dërgojë në gjyq dosjen për Shukri Xhelilin.

Ish-kryebashkiaku ka provuar disa herë në gjykatë që të ndryshojë masën e sigurisë, por në çdo rast është vendosur të lërë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.

Një praktikë e tillë, që pas arrestimit zyrtarët e lartë dhe persona “VIP” edhe të botës së krimit nxjerrin si alibi për të lënë qelitë problemet shëndetësore është ndjekur edhe më parë. Arrestimi i bujshëm i ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien e një leje ndërtimi në qendër të qytetit.
Ndalimi i tij u krye pas një urdhër-arresti të lëshuar nga ana e prokurorisë, por qëndrimi në qeli i Gjikës zgjati vetëm pak orë.
Menjëherë pasi u shoqërua në komisariat u tha se kishte shfaqur probleme kardiake.

Më pas u dërgua në Tiranë në një spital privat dhe më pas masa e sigurisë, e cila ishte detyrim paraqitje, duke e argumentuar këtë masë të lehtë gjykata me gjendjen shëndetësore të Gjikës.

Në të njëjtën formë tentoi të lërë qelinë edhe ish-deputeti Mark Frroku, por që më pas u rrëzua nga gjykata.

Ndërsa të shumtë janë personazhe “VIP” të botës së krimit që kanë lënë burgun para kohe, duke paraqitur në gjykatë akte të dyshimta ekspertimi që i nxjerrin të dënuarit me probleme shëndetësore.

Ndërsa në lidhje me çështjen e Shukri Xhelilit dy mjekët kardiologë do të paraqesin më datë 20 të këtij muaji raportin përfundimtar ndaj të pandehurit.

Pavarësisht vendimit që do të merret institucioni i akuzës pritet që në javët në vazhdim të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen penale ndaj Shukri Xhelilit.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: