“Që nga rënia e Jugosllavisë, Perëndimi ka dashur t’i marrë Kosovën Serbisë”, kështu është shprehur ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një film dokumentar kushtuar 25 vjetorit të sulmit të NATO-s kundër Serbisë, transmetuar në mediat serbe.
Lavrov tha se nga viti 1991, shpërbërja e Jugosllavisë dhe ndarja e Kosovës nga Serbia ishin në planet e Perëndimit.
Agresioni i NATO-s i ka rrënjët në vitin 1998, kur autoritetet e Beogradit kontrolluan këtë rajon serb. Aty filluan sulmet terroriste dhe u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ka prova dhe dëshmi se është financuar nga amerikanët dhe gjermanët”, tha Larov.
“Të gjithë e mbajnë mend “Kthesën e Primakovit” të famshëm, por jo të gjithë e dinë se vendimi për të bombarduar Beogradin u mor në Uashington përpara se avioni i tij të nisej.
Ata shpresonin që Primakov të fluturonte brenda dhe në këtë mënyrë të legjitimonte veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. Por kjo nuk ndodhi”, shtoi ai.
Ai kujtoi se pika e kthesës në mars 1999 i parapriu shumë ngjarjeve që ndryshuan rrënjësisht dhe simbolikisht politikën e jashtme të Rusisë.
“U miratua Rezoluta 1244. Që në ditët e para të miratimit të saj unanim, Perëndimi sabotoi praktikisht të gjitha çështjet kyçe”, shpjegoi ministri rus, duke nënvizuar se ekziston një qëllim global – të tërheqë të gjithë Ballkanin në NATO dhe më pas në Bashkimin Evropian.
(Balkan Web)