Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj priti në selinë e Kryegjyshatës Boterore Bektashiane, delegacionin e Shtetit të Holandës, të kryesuar nga znj. Bea-Sen Tussher, dërguar speciale e Ministrisë së Jashtme të vendeve të ulta për fetë dhe liritë fetare.
Kryegjyshi Botëror Bektashian e njoftoi delegacionin me rolin historik që ka luajtur Bektashizmi në çështjen kombëtare. Ai theksoi se vizioni që përçon Bektashizmi sot është një mesazh i madh për harmoni, tolerancë dhe bashkëjetesë fetare, si thesari i unitetit, sigurisë dhe paqes.
Kryegjyshi Botëror Baba Mondi shtoi se Nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e shtetit sovran bektashi, është një vlerësim për rolin që ka luajtur Kryegjyshata Botërore si qendër e bektashinjve të botës në mbi 33 vende dhe për vizionin e bektashizmit për paqe dhe vëllazëri botërore, me të gjitha fetë dhe të gjithë popujt, për të ecur së bashku dhe për të jetuar si vëllezër.
Zonja Bea-Sen Tussher, pasi falënderoi Kryegjyshin për mikpritjen, theksoi se roli i bektashizmit është shumë i rëndësishëm për promovimin e vlerave të islamit të sotëm, të inkorporuar në shoqërinë e sotme europiane. Ajo vlerësoi gjithashtu se shteti Sovran Bektashi do të përçojë vlera të reja, të domosdoshme për shoqërinë e sotme njerëzore.
(Balkanweb)