Nga Dom Zef Simoni

Pjesa e tetëmbëdhjetë

Kjo mrekulli ndodhte në këtë dhomë, në këtë dimension dhome ku ishin masakrue miqtë e Fishtës dhe Fishta vetë e, tash po delshin fjalë të reja të vërteta, se i thohej Fishtës; del nga vorri, se paske dijtë ma mirë se na. I duhej Fishta i “Lahutës”, i “Mrizit të Zanave”, i “Gomarit të Babatasit” dhe i “Anzave të Parnasit”. E artisti këtu më dukej i madh sa sarkazma e tij, një Fishtë me një fytyrë të sigurt mendimtari, me zhdërvjelltësinë e atij, që di të gjitha sherritë e, të vjen sikurse ndihet kah thotë: “Të gjitha kusuret, do t’i lani ju”. “Janë futë si një hije në këtë dhomë e, përsëri vazhdoj me ju dashtë”. Fishta asht një inkarnacion shqiptar, si asht raca vetë. “Fol për Fishtën, – më tha zotni Qemali, – thuej të vërtetën, edhe kur të dalësh, (kuptova se do të lirohem,) thuej asht patriot, asht artist, – e përsëriti me delikatesë, – por thuej edhe se ka qenë edhe akademik i Italisë”.

Kalova dy orë të holla bisedimesh. Kishte vendosë me më hapë rrugë. Situata ime, kishte ndërrue. Qeveria ishte e mësueme edhe me taktika. Çka po ngjan? Bota i ka sytë fort kah Shqipnia. Shtypi ndërkombëtar, radiot, televizioni, shpall një revoltë në Shkodër. Mbi të gjitha, “këta” e quajnë se; “asht një fabrikim i Beogradit, shpikje shpifëse e Tanjugut”. “Pohoje”, – më tha shefi i hetuesisë, në takimin e fundit në orët e mbrame të ditës, që të firmojsha një deklaratë, tue u shprehë në atë se; – “Beogradi ka ba fallsifikime”. “Në këto dy netë, – u tham, – lajmet jugosllave, sikur e kanë hjedhë poshtë ata vetë. Na, a do të thomi të vërtetën”?! Ai do ta pranonte çka i thosha. Do ta pranonte, në ketë rrethanë, në këto rrethana. Zoti ma kishte prue mbarë. “Ashtu le të jetë”! përgjigje me shpejtësi hetuesi. “Je në dijeni ti, – më pyeti ai, – se në Shkodër të ketë ngjarë revoltë”?

Unë mohoj gjithçka. Unë e përsëris: “Në datat 11 e 14 janar, kam qenë në shtëpi. Me mue nuk ka folë askush, as unë me njeri. Agjencitë e lajmeve kanë vu në dukje, se asht revoltë, por unë nuk di të ketë ngjarë diçka e tillë. Revoltë e vërtetë, nuk kishte ngja. Unë i arrestuemi, lëshoj dokumentin e mohimit të revoltës e, gjithçka mori fund. Hetuesi me lajmoi, se për gjysmë ore, do të lirohesh. Gjithçka mori fund, nga ora 7°º të mbramjes. Isha gati për t’u lirue. Uratët e Kryqin, që ma morën nga xhepi në fillim të arrestimit, m’i kthyen me një nderim të jashtëm, se hetuesi në këtë rast, përkuli paksa trupin. Një makinë “Fiat”, me niste për Shkodër. Një polic që rrinte pranë shoferit, kishte punë me mue indirekt. Ishte vu me më shoqnue, me më pasë në kujdes. Hekurat dhe “Fiati”, brenda njëzetë e katër orëve. Kjo makinë e bukur në pamje, që në ecje kishte të ngjashme ritmin e një muzike të orëve të vona të natës, rrëshqiste me ata të hjedhunat, në kthesat tunduese të udhëtimit me kadencë.

Në këtë natë, në dendësinë e saj, që çdo gjysmë ore, përshkohet mes dritave të qendrave të qyteteve tona, fort të vogla, të cilave me shpejtësi u kthejshim shpinën, pa e ndalë askush e, pa u këputë filli i mendimeve prej meje, në këtë kohë që ka domethënien e disa punëve, kjo makinë bahej lajmuese fillestare, në para-agimin e trazuem. Unë para pak kohe gjindeshe, jo në periferinë e atij që quhet shtet, por në zemrën, se zemra e tij asht Sigurimi. Asnjë ndalim rrugës dhe njerëzit që shihshin me shpejtësi vetëm shoferin dhe policin, mund të mendojshin, se asht makinë ministrie, urgjencë, në këto net pa gjumë, me ndonjë person me rëndësi. Nata që ka errësirë, nuk i hjekë mantelin e fshehtësinë ngjarjeve të shtetit, që ka punë të vogla e të mëdha.

Askush nuk mund ta zbulojë këtë “gjë e gjezë”, pa asnjë të dhanun! Aty në makinë, asht një person që shkon në shtëpinë e vet e, që para njëzetë e gjashtë orësh, kje i sjellun me hekura të tipit spanjol, ndër duer. Asht një prift. Kjo makinë elegante po më ndalonte te Hoteli i madh i Turizmit në Shkodër, në orën dhjetë të mbramjes, në qetësinë e netëve të rrezikshme të janarit. Kalojsha në kambë, i vetëm, kah sheshi i quejtun i dëshmorëve dhe para bustit të atij, që u ba sherri i hollë e manjak i një pjese të dynjasë, zerzele, ditë e natë, në kampin e një pjese të Europës së terrorizueme. Busti Stalinit, ishte ende aty. Busti i Stalinit, me fytyrë e faqe të zezë.

Ringjallja

Nisi pra viti 1990, i ngjarjeve të mëdha. Në shtypin e muejit, dukeshin shkrime të reja me përmbajtje pluraliste. Asht një gjysmë liri fjalët. Gjysma e majit e asht dita 16, e vjetit 1990. Shqipnia pret Perez de Kuelar, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, përmes të cilit, do të depërtojë një forcë paqeje. E fillimi i muejit korrik, të nxehtë vere e, turr të rijsh që imagjinojnë botën e lirë, tue u gjetë me mija para dyerve të ambasadave, për t’u futë mbrenda në ato, si një liri e dhimbshme e eksodit, presin tragete për të shkue me ato për Itali. Demostratat e të rinjve në Tiranë, drejtohen kah busti i idhullit.

E vjeti 1990, mbyllej ma i lumtuni se shpërthente me një fuqi të befasishme dita, që nuk patëm fuqi ta andërrojmë të tillë, si një fantazi magjepse. Ishte ditë që kishte tretë, ikë, zhdukë, fshehë në fatkeqësitë e shekujve, mbet në çengela. E në atë vranësi kohe, pa diell, me re vjeshte, si në kohën e purgatorëve, dita e 4 Nandorit, kishte si një freski të lehtë, në sa kah deti, për pak kohë, nisi të vinte një shi i butë, ma tepër një rigë shiu, që njomësonte edhe një fushë ku të vdekunit, shtri nën dhe porsi dëshmi e historisë së paharrueshme të qytetit historik, ruejtën për ato vjetë, edhe kryqat e bekuem.

Me një shpejtësi feje, u vendos edhe një tjetër kryq, por mbi një tavolinë të vogël me shtroje të bardhë e, një Oste e pak venë, e meshtarit Dom Simon Jubanit, do të naltohej e shugurueme mbas orës 11°º, në prani ma shumë se pesëqind vetëve që u gjetën aty, për të zbukurue vorret e për të thanë ndonjë lutje, në të dielën e parë të nandorit, ndër vorreza. E të tjerë që erdhën, porsa morën vesh lajmin e meshës, rreth njëmijë vetë, mbetën të çuditun, të ngrimë, kur u grumbulluen pranë lterit. Thohej një meshë, ngjante si një mrekulli. Shumë nisën të lotojshin e, gati të gjithë shprehnin me një gëzim populluer e të krishtenë, fatin që kishin pasë, tue u gjetë të pranishëm në atë rasë e, secili me qenë dishmitar i asaj ngjarjeje misterioze e fatlume, për të parën herë mbas njëzetë e tri vjetësh.

Porsa mbaroi Mesha, u shpërndanë njerëzit nëpër qytet e, u ngarkuen instiktivisht, me misionin e dhanies së lajmit të gëzueshem, si Maria Magdalenë, dha lajmin e vërtetë të të Ngjallunit të Krishtit, ditën e Pashkëve. Ringjallje që takoheshin në histori. Shkodra ndiente kudo fjalët e reja, të thanies së Meshës. Ngjarje e zhurmshme e ditës nëpër rrugë, shtëpi, kafe, dyqane, në radha e në fillim, porsi lajm i dyshimtë, brenda pak orëve, do të sigurohej si një e vërtetë e brenda dite, do ta merrshin vesh fshatet, malësitë, qytetet, kryeqyteti, qielli, toka ajri, se çka bani të ngjante në Shkodër! Malet e hjedhta të Cukalit, Maranajt, të Veleçikut, sikur zgjatshin majat e tyne, për të pa e ndigjue, rrinin së bashku me Taraboshin, roje e rregullt në të hym të tij, rrinin kunorë rreth qytetit, nësa kalaja e ngjarjeve regjistron gjithçka larg e afër.

Lajmi i madh se do të thohet mesha me datën 11 të Nandorit, ora 10°°, ditë e dielle, përsëri në Kapelën e Vorresave, i dha rastin një lëvizjeje të madhe, të të rinjve që të merrshin pjesë në ndërtimin e Kishës, për ta ba gati për atë ditë të fuqishme.

Krejt javën, të rij, punëtorë, zanatali janë çue në kambë, gjithë ditën e natën me drita të ndezuna, edhe muslimanë, për të punue, tue pasë me veti sharra, qesere, gozhda, dërrasa, tulla, gurë, ranë e gëlqere. Një shkuemje e ardhje e mija njerëzve që vijshin në Fushë të Rmajit tanë gëzim për të pa e për të vu tuba lulesh që i ruen disi vjeshta. Ishte dhe një ankth ndër fytyrat e tyne dhe një frikë si do të shkonte e diellja e ardhshme e mistershme, pa dijtë si me e komentue. Forcat e sigurimit të mbushun me inat pesëdhjetë vjeçar, që në një orë aq të papritun theheshin pa u kujtue, rrijshin tash edhe me një matuni të porositun e lëvizshin porsi re që nuk rri rehat në dimën e porsi miza të mërzitshme që të hanë në qafe në verë.

Dom Simoni nuk shihej gjatë javës. Pyetshin njerëzit në shtëpi të tij, por nuk e gjejshin. Disa të rij e ruejshin në shtëpiat e veta deri që të vinte dita për t’u thanë Mesha e caktueme.

Ditën e mërkure të datës 7 nanduer, një personë e policisë erdhi në shtëpinë tonë, tue më njoftue njerëzisht që në orën e mbasdites t’u paraqitsha në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Kishin thirr edhe tre meshtarë të tjerë, por që aty nuk u takuem me njeni-tjetrin. Mbas bisedimesh rreth ngjarjes, më thanë me qetësi se kishat do të hapeshin, por pse të veprohet kështu me këtë zhurmë, me këtë poterë. Ishin rreth meje pesë-gjashtë oficerë të Sigurimit që nuk rrijshin aq të qetë, pa lëshue ndonji britem, tue më thanë: “Kush i ka dhanë leje Dom Simon Jubanit të veprojë kështu?”Fjalët e mia fejenë këto: “Ju keni thanë se kishat i ka mbyllë rinia, populli. Tash rinia e ka thirrë Dom Simonin për të thanë Meshë”.

“Duhet me pritë, – pohuen ata. – Gjithçka të bahet me qetësi”.

“Populli, – vazhdova unë, kur fola me shefm e Policisë, – asht tha për këtë ditë e nuk pret”. Unë po flitsha me një lehtësi, se po fillojshin me ndërrue kohët. E mbaroi kjo ditë, e kjo orë, për të vazhdue java punën e vet. Dita e Dielle erdhi me një lëvizje tejet të fuqishme, me grupe të shumta njerëzish që përshkojshin e kalojshin në të gjithë rrugët e qytetit si lumë, për t’u gjetë në meshën e orës 10°º, të datës 11 Nandorit.

Nuk do të kishte vend ma interesant në botë e, ma të zgjedhun, se Fusha e Rëmajit e kësaj dite, kur u tha kjo meshë e dytë publike e përgatitun, në prani të gati pesëdhjetë mijë vetëve ndër vorreza, ku të vdekunit kanë aq lidhje me të gjallët e, sot këtu edhe të gjallët me vdekunit. Asht lidhnia e të dy palëve. Askush pothuej nuk flitte e, të gjithë shihshin e ndiejshin, tue mbetë në një heshti shejte, a thue nuk asht kush mbrendë.

Të gjithë kanë seriozitetin e ngjarjes. Një gjallëni ngadhënjyese, një nderim e adhurim meshe e, dalin lot gëzimi e përmallimi, me lëvizje buzësh e gishtash, pse pa Rruzare do të vërshojshin me miliona, mbas pak muajsh në Shqipëni. Dom Simoni, i vetëm, thotë Meshën. Me një predk historic, foli mbi këte ditë të jashtëzakonshme, që do të mbetet e paharrueshme. U hap Qielli e shihej në hapsinën tonë jeta, sepse jeta që e ka pamjen, nuk u duk ndër ne me shekuj. Na, gjatë historisë nganjëherë për dore, në ecjet tona mes shkrepave, të teposhteve, humnerave, zbathë, e zdeshë, tue u rritë me copa dhe dromca, bukë e njelmueme, Shqipnia e dhimbshme që lehtësisht e nxjerr ankesën dhe vajin dhe e shprehë hallin, në këtë ditë, u duk tjetër. Ndërroi pamjen Shkodra. Rrugët u banë të qeshuna. Ndër shtëpitë e mbara u fut ora e gëzimit. Muret sikur lëshojshin shtat kalash, tue u dukë madhnia e Shkodrës historike e, si zojë e randë, përtërinte gëzimet e vjetra dhe jetën e vet. Qyteti me mëzi sy çilun, ngjallte fuqinë e donte të kishte ma së pari gurrat e pastërtisë, gurrat e hirit, për t’i dhanë fitoren Zotit e, programit të Tij.

Këtë ditë të shpëtimit tonë, e mendojmë me sjellje të tjera, me kahe të tjera, frymëmarrje të tjera. E Fusha e Rëmajit që, vetvetiut ka përmallim, lot e dënesë, për të dashunit tonë, vdekë plot fe e, që gjatë këtyne vjetëve, sikur na dhanë ngushëllime e shpresa ne, të vdekunve për së gjalli, kjo Fushë Shejte, u ba vend fort i dashun, vend gëzimi e drite, për të shkue aty me një kënaqësi tek ky shesh tash ngadhënjimtar e, me ndie e me pa një diçka, që tregonte se me lirinë e besimit, vijnë dhe liri të tjera. E sikur delte një za që thonte: “Me mue fillon ecja. Këtu e keni drejtimin”. Lidhja e të gjallëve me të vdekun dhe e të vdekunve me të gjallë, bahet jetë, për t’u ba besimi, gjetja e udhës. Epopetë e fitueme, nuk kanë kurrë humbje të plotë, pse kanë gjithmonë fuqi drite të pafikun e, përherë energji të ruejtuna, në një çast të caktuem e providencial, këta i japin vetes për të qenë, për të dalë, për të demonstrue të vërtetën dhe tagrin.

Feja nuk mund të mbaronte. Kjo e shkeluna ma fort, do të shpërthente bukur, hijshëm në këtë ditë të dielle të Zotit, si një Pashkë e mrekullueshme, edhe shqiptare, që vërtetonte tezen, doktrinën, historinë, se mbas Kryqëzimit asht Ringjallja. Festë ma të bukur nuk mund të kishte, gëzim ma i madh mund të delte. Zemrat këtu fillojshin me u sherue, se me fenë kristiane je në epokën e dashunisë. E tue qenë se ndër ne kujtimet ruhen të gjalla, pse jemi një popull meditativ, historia jonë ruhet edhe ndër kështjella shejte si ajo e Rozafatit dhe në herojt tanë burrat e mirë ndër shekuj me Gjergj Kastriotin. E kështu delte vorri dhe kombi e me një seriozitet shfaqej binomi i bukur, i motivuem dhe rregullues “Fe e Atdhe”.

Shërbimet fetare; Dom Simon Jubani, Dom Ndoc Ndoja, Padër Leon Kabashi e, Padër Aleks Baqli, (nëndor 1990)

Ditën e hane filluen rrëfimet, kungimet, pagëzimet e krezmimet, me një katekizëm të shkurtë, fort përmbledhës, bekimi i ujit të bekuem, bisedimet e ndryshme që vijshin tue u shtue, dita me ditë. Pothuej në ditët e para, Dom Simoni ishte i vetëm. Nisën të shërbejshin te Kapela e Vorrezave, Dom Ndoc Ndoja e Pater Leon Kabashi. Kjeshë thirr edhe unë prej Dom Simonit. Para se të fillojsha shërbimet, shkova të Dom Mikel Koliqi dhe i tregova arsyet e nevojës së madhe, që asht me u gjetë aty meshtarët, se një popull i madh fort, asht tue ra ndër vorreza e, ka nevojë për shërbime. Prej Dom Mikelit, që ishte famullitar i Shkodrës, mora bekimin që ma dha me kënaqësi. Me datën 21 të nandorit 1990, fillova shërbimin publik. Tue qenë ende i ri dhe mjaft i fortë, shërbejsha pa shikjue orar, tue ba pagëzime, krezmime, rrëfime, tue dhanë kungime, tue bekue kunorë dhe ditë për ditë, tue dhanë paradite një katekizëm për fëmijë e, të rritshëm.

Të diellën e parë, kjeshë thirrë në fshatin Beltojë, për të thanë Meshën, që kje celebrue mbi një kodër, afër vorrezave. Populli i madh i katundeve, ishin grumbullue aty. Shumë të rij erdhën me më marrë të shtundën mbrama, për t’u gjetë gati për meshën, që filloi ora 10.00, tue ba edhe një predk për ditën që na fali Zoti. E ata që mujshin me u kungue, e morën Krishtin në zemër, porsi fëmijë që e marrin për të parën herë. Me datën 28 të Nandorit, dita e Flamurit, celebrova meshën te Kapela e Vorrezave, për të parën herë në Shkodër, në publik para një populli të madh, afër 30 mijë vetë, që kishin ardhë me e pa, mbasi ishte dhe ditë pushimi, se festë kombëtare. Mesha e mesnatës, natën e Krishtlindjeve, kje e jashtëzakonshme. Mesha te Kapela e Vorrezave. Vendi asht plot me drita, me lëvizjen e gëzueshme të natës së madhe. Edhe pse natë e ftohtë, ishin grumbullue pothuej mbi 30 mijë vetë.

Për të parën here, kishin ardhë edhe telekamera e gazetarë të huej, nga vendet e Prendimit. Afër njëzet telekamera. Celebruem meshën bashkë, tue kryesue Dom Simoni, që bani dhe predkun e rastit. Ishte një bukuri e mbrendshme dhe e jashtme, një meshë e tillë, jashtë ndër vorreza, ishte krejt e veçantë dhe vetme në botë e, në histori. Njerëzit plot gëzim bajshin urimet, tue çue tonin me një za të fortë, të lirë, të qeshun, si të dojshin, me shfaqë të gjitha urimet, që nuk ishin ba gjatë idhnisë komuniste. Populli asht tepër i çuditsham. Bante veprime gjatë atynë vjetëve, të terrorit të çuditshëm. Bante sofra, ahenga, kangë, shkonte ndër shfaqje të ndryshme, shihte vepra teatrale të kohës, merrte pjesë ndër koncerte, rrahte shuplakë ndër konferenca e, kishte besimtarë që shkojshin të shihshin lojë sportive te Kisha Katedrale, kthye në një palestër sporti, ndërsa Kisha Françeskane e Gjuhadolit, në kinema. Me të gjithë këto veprime, mund të mendojsha se populli ka harrue gjithçka e, krejtësisht besimin.

Por jo. Kjo nuk do të ngjante. Njerëzit e quejtun të reaksionit, njerëzit e tyne nuk i bajshin këta veprime. Këta vuejshin randë dhe mbajshin një qëndrim të distancuem plot dispiek. Tash vazhdojshim shërbimet e mëdha së bashku me Dom Ndoc Ndojen, Padër Leon Kabashin. Padër Aleks Baqlin e unë. Kurse Dom Simoni, u nis për disa ditë në Itali, kah fundi i muejit janar. Gjatë muejit të frorit, ditë e dielle, kishin ardhë ndër vorreza, porsa mbaroi mesha e orës 10.00, dy meshtarë italanë. Ishte Monsinjor Vincenzo Paglia, famullitar i San Edigio të Romës, së bashku me Dom Marco Ignavi, ndihmës famullitar i kësaj famullie. U takuen me Aleks Baqlin e me mue e, së bashku erdhën në shtëpinë time, bamë sa biseda, rreth gjendjes fetare në Shqipni dhe nevojave fort të mëdha që kishte Kisha. Gjatë bisedave, na thanë se së shpejti, do të vinte delegacion kishtar prej Rome, kurse këta kishin ardhë të ngarkuem prej Selisë Shejte, për të fillue sa më parë marrëdhëniet diplomatike, me Qeverinë Shqiptare.

Hapja e Kishës Katedrale (7 mars 1990)

Ngjarja e 7 marsit, ishte një ngjarje tjetër në qytet. Hapet lajmi se do të vijë në Shkodër Nanë Tereza e, kjo kërkonte të shihte Meshën në Kishën Katedrale, që ishte ende palestër sporti. Mue më thirrën në Komitet Ekzekutiv, kryetare e së cilës ishte Zj. Marubi, për të më lajmue se do të vinte në Shkodër në mars, Nana Tereze. Porsa u morën çilësat në këtë datë të 7 marsit, u nisëm mes Kapelës së Vorrezave, Padër Aleks Baqli, unë, meshtarë të tjerë, si Lucjan Augustini e, Dom Dodë Gjergji, meshtarë prej Kosove, që kishin ardhë në këto ditë të gëzueshme dhe interesante, e tue ecë në formë procesioni të primë prej një kryqi të madh e, me të rij e popull, u arrit deri te Kisha e Madhe, e u hy me heshtje, me rrahje shuplakash e, tue falë Zotit nderës, për të mirat që po siellte. Katedralja u mbush. Ishte një pamje e mrekullueshme e rrallë në histori.

Me pritë Nanën Tereze shqiptare, u ba një ngadhënjim historik. Kjo kishte ardhë para pak kohë në Tiranë, por në Shkodrën e flakët e me zhurmë, vinte tashti, për të përtëri edhe pejzat e zemrës besimtare. Nana Tereze vinte me datën 10 të marsit, ditë e diellë. Ishte zgjue i madh e i vogël. Ishte e pamundun me hy në kishë prej lëvizjes e, në çastin e hymjes së saj në kishë, kanë mujtë të vazhdojnë rrahjet e shuplakave, për ma tepër se 10 minuta. Ora 10, te një lter i zbukuruem disi, fillonte Mesha, që më kje lanë mue me e kryecelebrue dhe me mbajtë homelinë, tue qenë të pranishëm shumë meshtarë shqiptarë dhe një meshtar kosovar që e shoqnonte Nanën Tereze, Dom Gjergj Gjergji. Me Nanën Tereze, kishin ardhë prej Tirane, tue qenë pranë prej çastit që kishte ardhë në aerodromin e Rinasit të Tiranës, Atë Zef Pllumi, motër Sr. Ancila, sekretarja e saj, e mjekja Xheni Petri.

Para mbarimit të Meshës mbasi i dhashë dhe Eukaristinë, i dhurova Nanë Terezës si kujtim të Kishës së salvueme një kelshajt që ishte ruejtë i fshehun në dhe që nga marsi i vjetit 1967, nga një ndër besnikët e Kuvendit Françeskan që kishte ruejtë enët ma të bukura kishtare. Mbas funkcionit me një kujdes të madh tue dalë jo prej kryesore të Kishës, pse ishte e pamundun dhe e rrezikshme këte herë dalja e saj. Nana Tereze do të delte nga një derë e fundit të Kishës e fshehtas do të çohej në shtëpinë e të nipit Zefit, Tonin Shpati, ku ishte përgatitë dreka. Kjo ditë gëzimi gjatë tanë kohës ruente forcën e një feste dhe e të paharrueshme, që do të jepte kurdoherë bukuri kombit ndër tanë shekujt tanë që do të vijnë. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb