Deputetja e PL, Monika Kryemadhi doli nga ambientet e SPAK ku ishte në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. Ajo tha se nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve, por një gjë të tillë do ta bëjë vetëm para GJKKO.

Kryemadhi foli edhe për ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, kur tha se po e iluminojnë me shpifje kundër saj. Ajo tha se nuk e ka uruar Metën për festën e fundvitit sepse nuk e lidh asgjë më me atë.

“S’kam si të uroj një njeri që s’ka asnjë lidhje me mua. Uroj që të gjithë njerëzit që e iluminojnë zotin Meta me shpifje të tilla të marrin përgjigje në 2025, siç po e marrin disa”, tha ajo.

Monika Kryemadhi: Fillon një procedim komplet i ri, do fillojmë lojën me kungulleshka ne dhe prokurorët si dy palë përballë në gjykatë. Tani filluam lojën, pse 5 por 7, kjo është një gjë, unë normal që do njihem edhe me fashikujt, dokumentacionet, letrat, dhe nga ana tjetër do të përballemi me ekspertizën që do të ndërtojë vetë prokuroria dhe ekspertizën financiare që kemi bërë unë dhe mamaja ime. Kërkon përfshirjen e të gjitha palëve, edhe të atyre që kanë gënjyer, edhe të atyre që kanë thënë të vërtetën.

Nuk flas më para prokurorëve, do flas vetëm në gjykatë. Nuk jap më asnjë shpjegim për asgjë, kanë të bëjnë lidhjet që t’i të përdorësh deklaratat e mia kundër meje. Për zotin Meta nuk di gjë. Po pres mamanë time se është ajo tani në orën 11.00.

Pyetje: E uruat zotin Meta për Vitin e ri?
Monika Kryemadhi: S’kam si të uroj një njeri që s’ka asnjë lidhje me mua.

Pyetje: Ju ka sulmuar zoti Meta si një person që duket sikur keni folur në SPAK, lihet të nënkuptohet. A keni bërë ju dëshmi inkriminuese ndaj zotit Meta?
Monika Kryemadhi: Uroj që të gjithë njerëzit që e iluminojnë zotin Meta me shpifje të tilla të marrin përgjigje në 2025, siç po e marrin disa.

Pyetje: Kush janë armiqtë tuaj zonja Kryemadhi?
Monika Kryemadhi: Dihet kush janë. Ata që kanë folur gjithë ditën dhe natën kundër Monika Kryemadhit me shpifjet e tyre.

Pyetje: Do të vini sërish në SPAK si denoncuese e aferës së inceneratorëve?
Monika Kryemadhi: Sigurisht që do të vij. Dhe me thënë të drejtën, sigurisht për një gjë më vjen pak keq. E përgëzoj kryeministrin Rama kur i doli në mbrojtje kryetarit të bashkisë Erion Veliaj kur tha se po e linçoni, po e intimidoni, po i shkatërroni familjen, por harron zoti Rama dhe zoti Veliaj që duhet të hapin borderotë e portaleve dhe mediave që paguhen me paratë e inceneratorëve, për intimidime dhe linçime që i kanë bërë nga familja ime e shumë shqiptarëve me radhë. Të mos bëjnë këto skemat e strehimeve politike për Veliajn se s’kanë më lezet, Veliaj të vijë dhe të përgjigjet këtu. Kemi votuar reformën me 140 vota, ta bëjmë reformë por jo Rama-Formë. GJEDNJ do të jetë ajo që do të na krijojë mundësinë për të ndërtuar dhe ngritur disa gjëra mbi të vërtetat.

Pyetje: Nëse një parti tjetër, përveç PL-së do t’ju ftojë të kandidoni në zgjedhjeve, do të pranoni?
Monika Kryemadhi: Jo, jo!

Pyetje: Paralajmëruat humbjen e opozitës në 11 maj?
Kryemadhi: Humbje unë opozitës nuk i uroj asnjëherë, do të bëj maksimumin që opozita të fitojë, do të jem një nga njerëzit që do të flas më shumë se ata që duan të bëhen deputetë. Mendoj që çështja e rikthimit të opozitës në pushtet nuk ka të bëjë me individët, por ka të bëjë me opozitarizmin dhe ka të bëjë edhe me demokracinë e brendshme. Sa i takon anës tjetër, që është shumë më e rëndësishme edhe për ne vetë, të pakapshmit nuk janë gazetarët, as ne që s’kemi qenë ndonjëherë në pushtet, të pakapshmit janë ata që firmosin detin, Sazanin, Gjadrin, ngrihen kulla nga 100 kate në Tiranë dhe nuk e dimë se paratë e kujt janë. Këta janë të pakapshmit. Drejtësia nuk ka të bëjë as me linçimin, as me intimidimin e individëve, ka të bëjë me vendosjen e drëjtësisë. Nuk mendoj se sot shqiptarët ndihen më mirë, por paguajnë më shtrenjtë për dritat, ujin, ushqimet, veshmbathjet e shumë gjëra të tjera. Jemi përpara, ka kohë, deri në 11 maj shumë gjëra do të ndryshojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb