TIRANË
Pas deputetëve të PD dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë firmosur dorëheqjen nga mandati i tyre. “BalkanWeb” ka siguruar letrën e dorëheqjes si deputete të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi e cila ka firmosur e para heqjen dorë nga mandati i marrë si ligjvënëse nga radhët e LSI-së.
Në letrën e dorëheqjes së deputetëve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë renditen dhe arsyet e këtij vendimi.
“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi për shkak: të asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës; të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;
të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës.
Duke mbajtur në konsideratë se për këto shkaqe është krijuar një situatë e paprecedentë e krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale e mjerimit social;
Duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentar.
Unë…, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke e vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Opozita vendosi të djegë mandatet si e vetmja rrugë e mbetur për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që do t’i hapnin rrugë vendit drejt integrimit europian.
(m.k/BalkanWeb)