TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot nga aktiviteti i organizuar për 15-vjetorin e LSI-së se Rilindja e Ramës është tradhtarja më e madhe e së majtës, ka shkelur çdo vlerë. Ajo tha se gënjeshtra është kozmetika e përditshme e fytyrës së qeverisë dhe bojës së kryeministrit.

“Të nderuar miq, situata është e paprecedent. Vendin e ka mbërthyer një krize totale e qeverisjes, ekonomisë dhe shoqërisë.
Në kohën kur më shumë se kurrë kërkohet mobilizim social e intelektual, pjellë e Rilindjes është polarizimi i tejskajshëm, nxitja e përçarjes së shoqërisë në ‘ne’ dhe ‘ata’.
Në kohën kur kërkohet mobilizimi i gjithë energjive e kapaciteteve kombëtare për integrimin e vendit, kemi shkatërrimin e administratës publike, dhe injorim të institucioneve të pavarura dhe akademike.
Gënjeshtra është kozmetika e përditshme e fytyrës së qeverisë dhe bojës së kryeministrit. Që edhe pse investon miliona para të pista prapë duket se ka nisur t’i mbarojë vaji.
Makineria e propagandës ka filluar të kërcasë e nuk mbulon dot më zullumet e pafund që Rilindja ka prodhuar. Sepse shqiptarët nuk janë të verbër, ata shohin dhe kuptojnë.
Ata shohin se Rilindja nuk ka më asnjë pikë takimi me asnjë ideologji, e aq më pak me të majtën. Rilindja e Ramës do mbahet mend si tradhtarja më e madhe e së majtës shqiptare. Ajo ka shkelur pa mëshirë vlerat saj themelore: shtetin demokratik e social, mundësitë e barabarta dhe shpërndarjen e drejtë të të mirave”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Sipas saj, në sistemin e Rilindjes, po nuk pate para, nuk kurohesh dhe arsimohesh.
“Mundësitë  e barabarta u shkatërruan në arsimin e lartë. Mundësitë e barabarta u shkatërruan edhe në shëndetësi, ku mbi 60 % e shërbimit spitalor është në duart e privatit. E ku duhet të paguash shtrenjtë që të marrësh shërbime cilësore e në kohë.
Ky është sistemi i rilindjes: po nuk pate para, nuk mund të arsimohesh, nuk mund të kurohesh. Shteti social, thelbi i së majtës, ka rënë. Por shqiptarët, me varfërinë e ulur këmbëkryq në shtëpitë e tyre, kane nevoje për një shtet të fortë.
I vetmi qe nuk e sheh, nuk e ndjen dhe nuk preket nga kjo situatë është Kryeministri. I cili në fakt është shkaktari kryesor i kësaj katastrofe. Atë nuk e prekin as skandalet e përditshme të rilindasve të tij, as dhunimi i votës, as shkelja e ligjit dhe kushtetutës, as trafiqet e drogës, as largimi i shqiptareve që janë totalisht të pashpresë”, deklaroi Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: