TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur sërish pas protestës dhe pas një takimi në selinë e PD me aleatët.

Ajo tha se opozita i ka bërë të gjitha veprimet institucionale dhe akuzoi maxhorancën se ka shkelur rregulloren e parlamentit dhe kushtetutën me të dyja këmbët.

Kryemadhi theksoi se sipas Kushtetutës parlamenti është legjitim kur betohen 140 deputetë, ndërkohë që sot nuk janë aq. Ndaj ajo tha se maxhoranca është sot shah-mat.

“Opozita i ka bërë të gjitha veprimet e saj. Nuk po iu rendis të gjitha veprimet institucionale, me propozimet, me amendimet, me kalimet e projektligjeve, me tryezat dhe nuk po rri t’ju përmend të gjithë shkeljet e rregullores së parlamentit apo dhe të kushtetutës me të dyja këmbët nga maxhoranca. Ndërkohë nga ana tjetër mund t’ju bëj me dije, unë nuk quhem juriste, nuk jam doktoreshë në shkencat juridike jam në doktoreshë në shkencat kimike dhe ekonomike por ajo që dua të them është mund t’ju drejtoheni shumë konstitucionalistëve që
kushtetuta e Shqipërisë thotë se parlamenti i Shqipërisë ka 140 deputetë, pra parlamenti është funksional dhe legjitim në momentin që betohen 140 deputetë. nëse ky parlament do të ketë 140 deputetë le të vazhdojë por unë jam e bindur që nuk mund ta ketë dot shansin për të pasur 140 deputetë. Sot maxhoranca është shah-mat dhe nuk është njëherë por është disa herë shah-mat”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha ndër të tjera se vendi do ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare para verës dhe se PS bën kot si e fortë, pasi edhe ata vetë po përgatiten për zgjedhje duke hapur zyra elektorale në qytete të ndryshme të vendit.

“Sot mazhoranca është shah mat sepse ka dosjen 339 e cila është një dosje e hapur me SHBA dhe BE. Ka dosjen 184 për zgjedhjet e 2015. Por ka edhe probleme për trafikun e drogës dhe gjëra të tjera. Sot politika shqiptare është përballë një krize politike dhe institucionale. Mjafton që të shikoni në një emision investigativ se si një ministri nuk jepte informacion. Sot institucioni dhe qeveria është kthyer në një institucion që bën qoka. Nuk ka dialog, por vetëm zgjedhje të reja. Kanë filluar të hapen zyra elektorale. Vetë PS po përgatitet për zgjedhje. Ju them se vera do nisë me zgjedhje parlamentare”- tha Kryemadhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: