TIRANE

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturën e Lëvizjes së Gruas për Integrim të Tiranës. Kryemadhi tha se gratë shqiptare janë ato që do të bëjnë ndryshimin. Kryemadhi foli për protestën e madhe të 25 Majit, të cilën e quajti protestën më paqësore dhe më qëndrestare të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Politika në këto 30 vite tranzicion i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare, i ka marrë frymën popullit shqiptar, ku pjesë e këtij sistemi kemi qenë edhe ne, që sot duam ta ndryshojmë. Më mirë vonë, sesa kurrë thotë një fjalë e urtë popullore. Më mirë që u kujtuam tani, sesa të mos kujtoheshim fare për ta ndryshuar këtë sistem. Ajo që dua të them është që ne duhet të qëndrojmë. Çdo ditë që ne qëndrojmë, çdo ditë që ne jemi më të fortë, çdo ditë që ne jemi më prezent në të gjithë këtë strukturë proteste dhe revolte, që është krijuar tashmë, jo për shkak të partive politike, por për shkak të vuajtjes që iu është shkaktuar shqiptarëve në gjithë këto vite nga klasa politike do të rrëzohet shumë shpejt nga qëndresa jonë dhe nga organizimi ynë. Pse këtë fjalë unë e them me ju gratë? E them sepse gratë janë ato që bëjnë ndryshimet, gratë janë ato që konsolidojnë familjet, gratë janë ato që mbajnë shtëpitë në këmbë, gratë janë ato që edukojnë fëmijët, gratë janë ato që rrisin fëmijët, djemtë e tyre me dashuri për familjen, vajzat e tyre me dashuri për familjen. Gratë janë ato që stërmundohen për ta mbajtur familjen në këmbë, ashtu sikurse janë gratë ato që falin dashuri, ashtu sikurse janë vajzat ato që kujdesen për prindërit dhe ashtu siç janë vajzat, të cilat në çdo moment i japin frymë, ngjyrë shoqërisë shqiptare. Prandaj siç ndodh në familje dhe shoqërinë tonë që gratë dhe vajzat i japin ngjyrë edhe në politikë gratë i japin ngjyrë politikës, i japin fytyrë politikës dhe i japin vlera politikës. Siç është Alisja këtu që sapo ka lindur, kanë lindur dhe shumë të tjera, ka lindur Erisi, ka lindur Eriona Bixha, presim Besën të na lindi, ka lindur Ana Bici, kështu që nuk dimë ku ta kapim na kanë lindur vajza. Ky është edhe një ogur shumë i mirë. Në fakt misioni ynë është që ne duhet të luftojmë për këta fëmijë. Shumë nga ne këtu e kanë ndërtuar jetën e tyre, i kemi dhënë zgjidhje jetës tonë. Dikush më shumë dhe dikush më pak, kemi bërë zgjedhjet tona, diku të mira, diku të gabuara, por në fund të ditës të tëra me vështirësitë që ka jeta, i kemi përballuar, i kemi dhënë dorën njëra-tjetrës, por misioni ynë është që të luftojmë për fëmijët. Të luftojmë për Alisian dhe për të gjithë fëmijët e shqiptarëve, të cilët duam që të rriten këtu. Sa më shumë gra të jenë në politikë, sa më shumë gra të jenë prezent aq më pak kompromise do të ketë politika në kurriz të shqiptarëve. E them këtë, sepse nënat nuk bëjnë kurrë kompromis në kurriz të fëmijëve të tyre. Edhe ne me fuqinë e grave, nuk do të lejojmë kurrë që në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të fëmijëve të shqiptarëve të ndodhin më. ”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb