KAMEZ

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi nga Bashkia e Kamzës në një takim që zhvilloi me anëtarët e LSI-së, se në rast se Shqipëria do të humbasë shansin për hapjen e negociatave në qershor të këtij viti, fajtori i vetëm për këtë është vetëm një, pikërisht kryeministri Edi Rama. Kryemadhi tha se 90% e shqiptarëve duan integrimin europian dhe që të realizohet kjo duhet me patjetër hapja e negociatave.

“Të gjithë së bashku kemi një mision, unë jam e bindur se siç del në sondazhet e BE, siç del në sondazhet e LSI-së dhe PD-së edhe në sondazhet e Rilindjes 90% e shqiptarëve duan të jenë anëtar të BE. Pra që ne të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian duhet të bëjmë një proces shumë të rëndësishëm, i cili është hapja e negociatave, negociatat janë një nga arsyet më të rëndësishme, të cilat mbajnë sot në jetën politike dhe në jetën rajonale Shqipërinë gjallë. Nëse këto negociata nuk do të hapen në qershor, nëse Shqipëria do ta humbi shansin e hapjes së negociatave, këtu nuk është më se kush është fajtori dhe kush është problemi, por këtu humbet e ardhmja e shqiptarëve. Këtu nuk ka më kohë për të gjetur fajtor, tashmë fajtori e ka një emër dhe të gjithë e tregojmë me gisht, fajtori është Edi Rama për mos hapjen e negociatave”, tha Kryetarja e LSI-së.

Më tej Kryemadhi theksoi se largimi i kryeministrit Rama do t’i jepte mundësinë vendit që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe të rikthejë dialogun e munguar politik.

“Prandaj, vetëm largimi i këtij njeriu i hap shansin dhe mundësinë Shqipërinë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të bërë dialogun politik, për ta rritur dhe për të ecur përpara me të gjitha reformat të cilat janë kapur dhe uzurpuar nga një njeri i vetëm. Këto negociata janë të mundshme jo për Edi Ramën, se ai as nuk i ka dashur dhe as nuk do ti dojë kurrë, këto negociata janë të domosdoshme, për shqiptarët janë jetike. Prandaj hapja e negociatave kërkon shqiptarët në shesh për të përmbysur këtë klikë grabitqare dhe kriminale dhe për ta kthyer Shqipërinë aty ku duhet të jetë, si gjithë shoqet e saj të tjera anëtare e BE-së, më evropiane se shqiptarët nuk janë të tjerët, o e meritojnë shqiptarët, o nuk e meriton asnjeri. Të ardhmen tonë dhe të fëmijëve të shqiptarëve nuk e merr dot peng një njeri, prandaj detyra jonë është, siç kemi edhe sloganin, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb