LUSHNJË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë sot në Lushnjë ku ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj force. Duke komentuar vendimin e gjykatës së Durrësit për mandatin e kryebashkiakes Valbona Sako, Kryemadhi tha se sot ra siguria juridike e një vendimi gjykate.

“Sot me vendimin e Gjykatës së Durrësit u tregua se ku po na çon ‘Rilindja’ me reformën në drejtësi. Sot ra siguria juridike e një vendimi gjykate. Absurdi i sotëm duhet të futet në librat e jurisprudencës”, theksoi kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi Lushnje (1)
Kryemadhi Lushnje (1)

Kryemadhi u ndal dhe në aksionin e nisur prej disa ditësh nga administrata tatimore ndaj bizneseve që nuk kryejnë evasion fiskal. Ajo tha se ka një rënie të konsiderueshme të të ardhurave dhe për këtë arsye qeveria ka nisur një fushatë gjobvënie ndaj biznesit. Madje sipas Kryemadhit, fushata ka nisur në ato biznese që nuk kanë detyruar punonjësit që të dalin të votojnë në 30 qershor.
“Treguesit buxhetorë tregojnë rënie të të ardhurave nga TVSH dhe doganat. Duhet t’i themi ndal kësaj masakre ekonomike dhe humane ndaj shqiptarëve. LSI ka një program shumë të qartë për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Ekspeditat e inspektorëve si gjobvënës në çdo biznes nuk e mbushin arkën e shtetit. Këtë faqe të turpshme ku bizneset e vogla e të mesme sulmohen si armiq e kemi parë çdo vit. E gjithë kjo maskaradë nuk ka dhënë asnjë rezultat në buxhet, përkundrazi ka frikësuar bizneset. Nuk kemi ende asnjë nga këto ekspeditat ndëshkimore tek oligarkët e oborrit. Padrejtësi dhe dy standardet model qeverisë i Rilindjes. Ka filluar një sulm kriminal mbi bizneset që nuk i kanë nxjerrë me detyrim punonjësit të votojnë në 30 qershor. Kjo është fytyra e një pushteti kriminal. Jemi në këtë betejë, jo për poste e karrige, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari”, deklaroi Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb