PERRENJAS- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte sot në Bashkinë e Përrenjasit, ku mori pjesë në Panairin e Produkteve Bujqësore të zonës. Në fjalën e saj në këtë panair, kryetarja e LSI-së u fokusua te rëndësia e mbështetjes dhe zhvillimit të prodhimeve vendase në bujqësi.

“Të jemi sa më pranë jush për të diskutuar dhe ngritur problemet që çdo ditë e më shumë të lehtësojnë prodhimin dhe të rrisim sa më shumë prodhimin vendas. Sa më shumë prodhim vendas të kemi aq më e fortë është ekonomia jonë, sa më e fortë të jetë ekonomia juaj aq më shumë zhvillohet bashkia juaj, aq më shumë kanë mundësi fëmijët tuaj për të jetuar më mirë, më të lumtur dhe më të begatë në vendin tonë. Mbarësi me prodhimet, dhe mbarësi në familjet tuaja dhe begati”, tha kryetarja e LSI në fjalën e saj në këtë panair.

DEKLARATA E PLOTE
Ishte kënaqësi pjesëmarrja në këtë panair.
Për mua ishte hera e parë të marr pjesë në panairin e Bashkisë së Përrenjasit.
Pjesëmarrja e fermerëve me produktet e tyre bio ishte shumë interesante sepse në fakt drejt këtij promovimi duhet të shkojmë, drejt promovimit të produkteve tona bio.

Sepse ajo çka ofron Shqipëria është një nga mundësitë më të mëdha që kemi për zhvillimin e produkteve tona të cilat mos të jenë të konsumueshme vetëm brenda vendit por edhe jashtë saj.
Sigurisht që perspektivat janë shumë të mira por me një organizim shumë të mirë me një përkrahje shumë të mirë që mund të bëhet qoftë nga Bashkia, qoftë nga institucionet shtetërore, nga qeveria,do të zhvillonte akoma më tej këtë bujqësi.

Jo vetëm bujqësinë, por edhe zhvillimin e shumë produkteve të tjera, siç janë ato të etnografisë, pra duke pasur parasysh kostumet e mrekullueshme të zonës së Rrajcës apo për të vazhduar më shpejt traditën dhe vlerat e patjetërsueshme të kësaj zone.

Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe shpresoj që kjo gjë të vazhdojë edhe më tutje jo vetëm për produktet e vjeshtës për panairin e produkteve të vjeshtës, por edhe për panaire dhe produkte të tjera që promovojnë dhe rrisin më shumë vlerat e kësaj zone.

Është një zonë e jashtëzakonshme jo vetëm nga ana e pasurisë së saj kulturore, por e pasuruar me vlera njerëzore dhe humane që janë shumë të mira dhe që sot është vështirë t’i gjesh në këtë realitet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb