TIRANË

Lëvizja Socialiste për Integrim mbush 15 vjet nga krijimi i saj. Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Kongreseve, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e veshur me të verdha, ngjyra e vjeshtës tha se kjo forcë bashkoi rreth kauzës së madhe të ndryshimit dhe integrimit, energji, ëndrra, vullnete dhe përkushtim shembullor.

Kryemadhi theksoi se në 15 vitet sfidat me të cilat është përballur LSI kanë qenë të shumta e të jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se busulla jonë është Integrimi në BE, jeta më e mirë për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike

“15 vjet më parë lindi Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike që bashkoi rreth kauzës së madhe të ndryshimit dhe integrimit, energji, ëndrra, vullnete dhe përkushtim shembullor.
Në historinë politike të pluralizmit, partitë zakonisht u janë bashkuar mazhorancave. LSI, në themelimin e saj, u shkëput nga mazhoranca e pushtetit duke vendosur një standard të ri morali politik, qe e konsideron mirëqeverisjen, më të rëndësishme se pushteti.
Këtë moral politik ka ndjekur LSI, dhe mbi këtë parim është ndërtuar i gjithë aksioni politik i LSI-së.
Në këto 15 vite të rrugëtimit tonë politik, sfidat me të cilat jemi përballur kanë qenë të shumta e të jashtëzakonshme. Kauzat për të cilat u krijuam dhe kemi luftuar në këto 15 vite, janë akoma reale.
Prandaj mbështetja për forcën tonë politike nuk ka shteruar asnjëherë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët e duan Shqipërinë anëtare të denjë të Evropës.
Ne u rezistuam goditjeve të paprincipta që synonin eliminimin tonë, prej makinacioneve me sistemin zgjedhor, deri tek makineria mediatike e shpifjeve dhe akuzave në shërbim të interesave kryeministrore.
Ngadhënjyem sepse jemi me të drejtën, me moralin dhe virtytin, fituam sepse jemi bashkë dhe kemi dashurinë e madhe për vendin dhe të ardhmen e tij.
Nuk ka forcë që na ndal në përmbushjen e misionit tonë. Busulla jonë është Integrimi në BE, jeta më e mirë për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike. Për ne mbetet parësore kthimi i besimit tek Shqipëria si shtëpia jonë e përbashkët”, deklaroi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb