TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi iu ka bërë apel qytetarëve që kanë marrë gjoba nga policia për masat antiCOVID t’iu drejtohen gjykatave. Kjo, pasi sipas saj, policia e shtetit nuk mund t’iu vendosë gjoba pasi është institucioni i higjienës ai që gjobit.

Kryemadhi tha në “Kjo Javë” në News24 se policët e terrenit janë më të egër se ajo vetë kundër qeverisjes dhe janë prezentë në takimet e saj nëpërmjet të të afërmve.

“Iu jam shumë mirënjohës policëve të terrenit që janë më të egër se unë kundër qeverisjes së Edi Ramës. Ata janë prezentë, ndoshta jo vetë por me familjarët. Ajo që më bën më shumë përshtypje është që çdo gjobë që vendos policia ndaj qytetarëve është e paligjshme. Nuk është e miratuar në ligj. Policia e Shtetit është për rendin dhe sigurinë. Duhet të jetë Instituti i Higjienës ai që gjobit. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë marrë gjoba nga drejtorët e policisë t’i drejtohen gjykatave sepse gjobat janë të paligjshme. Në qoftë se do të bëjnë një ligj që do të ndryshonin metodologjinë dhe funksionin e policisë së shtetit atëherë ndoshta po”, tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb