TIRANË

Monika Kryemadhi u pyet sot nga gazetarët në lidhje me përgjimet në shtëpinë e saj të zbardhura në dosjen e SPAK.

Kryemadhi deklaroi se në shtëpinë e saj kanë qenë politikanë të shumtë, duke i përmendur me emra, por edhe biznesmenë. Ajo tha se ka ndihmuar aktorë e gazetarë dhe do vazhdojë t’i ndihmojë.

“Unë trajtimin mjekësor e kam filluar që nga 2013 që jam konstatuar me kancer në qafën e mitrës deri në 2019 që kam bërë operacionin final, pasi kam pasur 3 ndërhyrje. Në 2019 jam operuar dhe kam kaluar një gjendje shumë të vështirë. Normal që çdo vit kontrollohem, bëj analizat kancerogjene që shikoj në organizëm dhe ndiqem nga mjeku. Ndiqem në San Marino dhe në spitalin shtetëror të San Marinos. Nuk jam e sëmurë. Ky është një proces që është bërë për t’i mbyllur gojën Ilir Metës, pavarësisht pozicioneve që kam unë. Në qoftë se unë paskam ndihmuar Adrian Shatkun për fibrën opetike, fundori është Edi Rama. E kanë këta thirrur Edi Ramën për ta pyetur? Nuk është gjë e keqe ajo, është gjë shumë e mirë sepse në qoftë se shkon në një zyrë shteti dhe ai të kërkon para ty, ryshfet për të bërë një gjë, ti çfarë do bësh, do rrish dhe do mbyllësh gojën apo do luftosh? Në qoftë se ty një ushtar i një ministrie kërkon që të mbajë monopolin dhe nuk i jep mundësi tjetrit të aplikojë, nuk po të thotë ma jep lejen se lejen nuk ia jepte Ermal Topalli që thonë këta. Lejen ta jepte KKT-ja”, deklaroi Kryemadhi.

“Ç’lidhje ka Theodhori Çami me fibrën optike? Ai tjetri ia kishte hequr fishat? Unë do i them kush je ti që ia heq? Nuk e kam takuar në shtëpinë time, jemi takuar në kafe poshtë. Ai në shtëpinë time ka qenë, por nuk e ka përshkruar ai shtëpinë. Tek ajo shtëpi ka hyrë edhe Edi Rama. Tek ajo shtëpi ka hyrë edhe Sali Berisha. Tek ajo shtëpi ka hyrë dhe Lulzim Basha. Tek ajo shtëpi ka hyrë dhe Erion Veliaj. Tek ajo shtëpi ka hyrë edhe Sokol Olldashi. Po pse do filmoj njerëz unë e? Në shtëpinë time ka hyrë çdo njeri, kanë ngrënë dhe bukë, kanë pirë dhe kafe. Kanë hyrë dhe biznesmenë në shtëpinë time. Pse ca jam unë, njeri pa njeri?! Sa gazetarë më kanë kërkuar mua ndihmë?! Se si i kanë trajtuar, se si ua hiqnin prindërit nga puna. Se si ua hiqnin njerëzit nga puna për arsye politike. Sa gazetarëve u kanë hequr prindërit nga puna për arsye politike apo për arsye të qëndresave të tyre. E çfarë do të thotë kjo, do mbyll gojën, nuk do luftoj për këtë gjë. Juve ju duket normale. Se ua morën gazetarin, shokun tuaj Elton Qynon, ua futën brenda dhe ju duket normale. Faktikisht është bërë normale. Kam ndihmuar dhe do vazhdoj të ndihmoj kush të më kapë në mes të rrugës, sa të kem mundësi. Po, biznese, politikanë, hallexhinj, të bardhë, të verdhë, të zinj, gazetarë, kameramanë. Sa aktorë të portokallisë më kanë kërkuar ndihmë sepse i trajtonin sipas interesave. Kur ishte PD-ja në pushtet i shkelte me këmbë, kur erdhi PS-ja i shkelte me këmbë. Është turp, po në një fshat i vogël jemi. Sipas logjikës suaj, unë jam në një makinë, ndodh në një aksident dhe unë nuk duhet të zbres nga makina ta ndihmoj”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb