TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur në News24 në emisionin “Të paekspozuarit” për përgjimet e prokurorisë për kreun e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ajo e quajti Ramën “Niçja i madh”, sipas pseudonimit të Altin Avdylaj, një prej të arrestuarve të grupit dhe shfajësoi Dakon duke thënë se ai zbaton urdhrat.

“Kemi Niçen e politikës shqiptare Edi Ramën, mos u shqetëso shumë. Niçja i madh Edi Rama është se kush është. Kemi hyrë të gjithë në debatin e përgjimeve, na ka zënë një sëmundje. Problemi qëndron tek koka e tyre. Se ç’faj ka niçja apo vangjushi, ata kanë bërë atë që iu ka thënë Niçja i madh. Këto që nxorët ju sot faktojnë ulërimën e opozitës për blerjen e votës në vitin 2017. Shqiptarët e shohin por nuk flasin dot siç i kanë mbyllur sytë ambasadorët.
Përshtypje të bën edhe guximi i prokurorisë. Nga njëra anë shikon si prokuroria përgjon dhe nga ana tjetër nuk zbaton. Sepse mund ta kapte në flagrancë Dakon”, tha Kryemadhi, raporton “BalkanWeb”.

Ajo pati dhe një thirrje për kryeministrin Edi Rama pas dekalratave të tij në parlament për PD-në dhe LSI-në.

“Batutat e tij janë shterp, nuk prodhojnë asgjë. Rama tashmë është i nervozuar. Problemet e brendshme dhe faktori ndërkombëtar e kanë bërë të jetë në një presion të madh. Ka ardhur koha që Rama të dëgjojë këngën, mos pi mall, bëj palestër. T’i kthehet sportit”, tha Kryemadhi. Pyetjes së gazetarit Ylli Rakipi nëse kryeministri pi mall, Kryemadhi iu përgjigj: “Kjo nuk është gjë e re që të shokojë ty Ylli”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb