Në postimin e saj në Facebook, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejt Kryeministrit Rama, të cilit i thotë se kjo nuk është një betejë personale me të, por me sistemin monist që po përpiqet të instalojë në Shqipëri.


Kryemadhi shprehet në mesazhin e saj në “Facebook” se beteja e opozitës është për Shqipërinë e së ardhmes.
“Edi, kjo betejë nuk është personale me ty, por me sistemin monist, që kërkon të instalosh Ti në Shqipëri. Kjo betejë është për Shqipërinë e së ardhmes. Kjo betejë është për të rinjtë edhe fëmijët e Shqipërisë. Është për demokracinë, për të cilën kam luftuar edhe në vitet ’90, megjithëse isha një vajzë e re. Pa përkrahje. Me prindër, që nuk vinin nga kasta e diktaturës. Nuk luftoja për privilegjet “e humbura”, por për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri demokratike dhe sociale. Kam luftuar në ato vite të mbrapshta, në Tiranë edhe në gjithë Shqipërinë, kur Ti fshiheshe poshtë urave në Paris. Edi, betejën personale me ty e kam fituar, si para Zotit, ashtu edhe para familjes sime, para fëmijëve të mi.
Ti e di sa i dua, unë, fëmijët e mi. Aq sa nga kjo dashuri të kam dhënë edhe Ty, të paktën për fasadë dhe mediatikisht e përdor me raste, të duash edhe Ti fëmijët e tu. Nuk besoj se e ke harruar. Realisht jam në dilemë për këtë, sa ke mësuar t’i duash.


Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë helmimin e dhjetëra fëmijëve, që ishin në protestë me prindërit e tyre dhe të mos artikulojë asnjë ndjesë.
Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të urdhërojë policinë të nxjerrë jashtë banesave të tyre me qindra fëmijë në mes qiellit të hapur, si në rastin e Unazës së Re dhe Bregut të Lumit, pa i dëmshpërblyer prindërit e tyre për mundin, sakrificën dhe kursimet e një jete. T’i helmojë ata me gaz në pesë të mëngjesit, për t’i flakur nga krevatet e tyre nën qiellin me shi.
Se një prind, që do fëmijët e tij, nuk mund të gënjejë fëmijët e shkollave 9 vjeçare për t’i dhënë librat falas. Të mos i krijosh kushte mësimore të denja dhe ngrohje në dimër, për të mësuar si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë…se i ke këto angazhime politike dhe qeverisëse. Të shkruara dhe të miratuara në Parlament.
Si ka mundësi, që si një prind, që i do fëmijët e tij, të mos u japësh dot, fëmijëve të tjerë me sëmundje gjaku, ilaçet e nevojshme për të përballuar sfidën e tyre për të mposhtur sëmundjen dhe për të fituar jetën.
Si ka mundësi, që si një prind, që do fëmijët e tij, të mos bësh, thuajse asgjë, në luftën kundër shitësave të drogës, që janë më të shumtë pranë shkollave, se ata të farave të lulediellit.


Nuk e di si një prind, që do fëmijët e tij, të mos gjejë mundësinë, që si Kryeministër, të thotë një fjalë të vetme për ata fëmijë të fshatrave Floq, Qafzezë dhe Vidohovë, që po kalojnë netët në çadra ushtrie mes këtij rrebeshi shiu. I paske premtuar, që do t’i dëshpërblesh deri më një. Uroj që të mos jetë si gjithë mashtrimet e tjera që i ke bërë shqiptarëve, që nga fermerët e përmbytur të Fierit dhe deri tek minatorët dhe naftëtarët. Ashtu siç gënjeve për rrogat e naftëtarëve të Ballshit. Sot e kësaj dite ende nuk ke dëmshpërblyer qytetarët e Marinzës”, shkruan Kryemadhi.

Më tej ajo i thotë kryeministrit se “radha e mashtrimeve të tij është shumë e gjatë, më e gjatë se Rruga e Qumështit”.

“Si ka mundësi, që një prind që do fëmijët e tij, në vend që të shpallë Gjendjen e Jashtëzakoshme, mban fjalime shterpë nga dy orë në ditë për “Ata”, armiqtë e tij.
Unë e dua shumë bashkëshortin tim. Kam mbi çerek shekulli me të. Jo për fasadë, as për foto ceremoniali dhe lajme rozë. Ne e duam njëri-tjetrin pavarësisht se politikisht nuk ndajmë të njëjtat ide. Kemi kundërshtitë tona, herë herë edhe të mëdha, por e duam shumë njëri-tjetrin dhe të dy së bashku fëmijët tanë.
Të duash fëmijët është detyrë parësore e çdo prindi, ashtu si dhe ne na kanë dhënë dashuri prindërit tanë. Dhe kështu brez pas brezi. Dhe kjo dashuri sjell edhe dashurinë për Kombin. Me dashurinë për Familjen, për Kombin dhe Besimin në Zot çdo sfidë është e mundur të përballohet. Çdo sakrificë ia vlen, qoftë edhe karrigia e thyer e pushtetit. Në këtë botë jemi të përkohshëm. Vetëm kombi shqiptar dhe e ardhmja e tij duhet të jenë të përjetshme. Kështu, Edi, kështu…
Të kam thënë, mos merr drogë, por bëj palestër. E ke lënë veten të të ndryshojë realitetin dhe nuk po kupton më asgjë. Të duket gjithçka me ngjyra ngjyra, si fluturat që vizaton dhe ke mbushur zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë”, shkruan në postimin në faqen e saj në Facebook, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.