BERAT

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë në Berat ku ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese. Ajo ka falënderuar të gjithë anëtarët e LSI-së që bokotuan sipas saj votime farsë të 30 qershorit pavarësisht presioneve kriminale dhe kërcënimit të pushtetit me bukën e gojës e vendin e punës


Kryemadhi theksoi se beteja është jo për klasën politike, por për kalimin e vendimmarrjes tek qytetarët.
“Votimet e Rilindjes së 30 qershorit u refuzuan në mënyrë plebishitare nga shqiptarët. Vendimi i gjykatës së Durrësit i bëri nul zgjedhjet e 30 qershorit.
Çdo ditë e kësaj qeverie në pushtet thellon varfërinë dhe skamjen e shqiptarëve. Çdo ditë në pushtet e Edit shoqërohet me një mega korrupsion. Në një javë dy skandale që e rrisin çmimin e naftës me 25 lekë për litër.
Rilindja nuk njeh vendimet e gjykatave që kanë kundërshtuar procedurën e prokurimit korruptiv të koncesionit të kontrollit të pompave të naftës”, tha Kryemadhi.
Ajo theksoi se bujqësia ishte drejt kolapsit dhe pa këtë rritje të frikshme të naftës. “Rritja e çmimit të naftës do prekë jo vetëm xhepat e shqiptarëve, por do kenë edhe pasoja negative në gjithë ekonominë. Për dy oligarkë, do dëmtohen dhjetëra eksportues të prodhimeve bujqësore dhe mijëra fermerë. 5 milion euro në vit është humbja që pëson buxheti i shqiptarëve nga afera e pompave të naftës. 5 milion euro që merr oligarku i oborrit mund të nxirrej nga kolapsi blegtoria shqiptare. Blegtoria po shkon drejt falimentimit. Ka rënë ndjeshëm numri i krerëve të lopëve dhe dhenve. Eksportet bujqësore drejt rënies të pandalshme. Prodhimet bujqësore dalin me kosto të lartë se paratë nuk shkojnë për të subvencionuar bujqësinë, por për të fryrë llogaritë ofshore të qeveritarëve”, deklaroi kryetarja e LSI.


Sipas saj, me këto politika ekonomike diskriminuese për fermerët po shkatërrohet potenciali më i madh ekonomik i vendit, bujqësia.
“Subvencionet për fermerët, gati dy herë më pak sa do fitojë vetëm oligarku i pompave në një vit. Politikat e Rilindjes ndaj fermerëve janë anti-kombëtare”, deklaroi Kryemadhi.


Nuk mungoi dhe një këshillë për kryeministrin Edi Rama pas furtunës në Tatime.
“Treguesit buxhetorë tregojnë rënie të të ardhurave nga TVSH dhe doganat. Një këshillë për Ramën, nuk e ka fajin drejtori apo inspektorët e tatimeve, por taksat e larta dhe paaftësia jote. Ka ardhur dita që të ikësh sa më parë, që të çlirohet ekonomia se e ke zënë prej fyti”, theksoi ajo.

Kryemadhi tha më tej se lënia në mëshirë të fatit e fermerëve ka për qëllim shpopullimin e Shqipërisë.
“T’i themi ndal kësaj masakre ekonomike dhe humane ndaj shqiptarëve. LSI ka një program shumë të qartë për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Jemi në këtë betejë, jo për poste e karrige, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari.
Qëndrimet e LSI larg populizmit e fjalëve boshe, përgjegjësi para shqiptarëve për çdo gërmë të angazhimeve tona. Me Edi Ramën dhe këtë qeveri jo vetëm të korruptuar por edhe thellësisht të paaftë, nuk mund të integrohemi në BE”, deklaroi Kryemadhi.

(BalkanWeb)