CERRIK

Gjatë takimit me qytetarët e Cërrikut, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u ndal sërish tek situata aktuale politike si dhe  vendimi i opozitës për djegien e mandateve të deputetit. Kryemadhi theksoi se vendimi i deputetëve të opozitës ishte një përgjigje pozitive ndaj vendimit që kanë marrë qytetarët shqiptarë. Kryetarja e LSI-së hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit, sipas të cilit opozita kërkon pushtet në tavolinë.

“Vendimi ynë për djegien e mandateve nuk kishte të bënte me një vendim politik për të marrë pushtetin në tavolinë. Absolutisht! Ishim ne në pushtet, ishim në qeveri me Edi Ramën. Gjashtë muaj ju lut LSI-së Edi Rama, nga dhjetori deri në qershor për të bërë koalicion me ne. Por ne nuk pranuam. Nuk pranuam sepse kurrë nuk mund të pranonim të mbulonim erën e keqe që kishte mbuluar krimin e organizuar”, tha Kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi tha se në të gjitha takimet që ka zhvilluar me qytetarët apo edhe me ambasadorë, pyetja që ka hasur është: po më tej çdo të ndodhë?! Dhe për këtë kryetarja e LSI-së theksoi edhe njëherë atë çka kërkon opozita: dënimin e të gjithë eksponentëve partiak që blenë votat së bashku me krimin e organizuar në zgjedhjet e vitit 2017.

“Është shumë e thjeshtë. Nuk duam as pushtet, nuk duam që të themi që të bëhet kështu siç themi ne. Po kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë: dalja përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që u kapën me presh në dorë dhe të të gjithë atyre eksponentë politikë të kujtpartie qofshin duke blerë vota me krimin e organizuar”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Ajo theksoi se dosjet 339 dhe dosja 184 mbajnë peng Parlamentin dhe integrimin europian.

“Dëgjojmë që thonë na duhet reforma zgjedhore se pa reformë zgjedhore nuk ka zgjedhje. Reforma zgjedhore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri është dosja 339 dhe dosja 184. Këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng zgjedhjet e lira dhe të ndershme të shqiptarëve, këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng Parlamentin shqiptar dhe këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve dhe integrimin europian. Prandaj ne jemi shumë të qartë në kërkesën tonë, dalja përballë drejtësisë të të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë skemë, në skemën e vjedhjes, në skemën e shit-blerjes së votës dhe në skemën e kërcënimit të qytetarëve me bandat e krimin e organizuar. Dalja e këtyre njerëzve përballë drejtësisë do të çlironte dhe nuk do të lejonte më asnjë njeri që t’i shkonte ndërmend të krijonte një funksion të tillë shit-blerjen e votës apo përdorimin e krimit të organizuar për të ndryshuar pushtete dhe për të ndryshuar partitë politike në kutitë e votimit, të cilat mendohen dhe ne aspirojmë që të jenë kuti me vota të lira dhe të ndershme”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb