TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kërkon që SPAK të mos përdoret si kamzhik për luftën politike. Në një intervistë për News24, Kryemadhi foli dhe për rolin e ndërkombëtarëve.


“Ndërkombëtarët mos i mendoni që do të vendosin për fatin e shqiptarëve. Do ta vendosin vetë shqiptarët sepse janë ata që do të shkojnë në një proces dhe ndërkombëtarët gjithmonë janë të prirur për të ruajtur një lloj stabiliteti sepse është si puna e asaj që nuk të intereson ty si e ka shtëpinë komshiu lart, të pastër apo të pisët por në momentin që fillon të pikon tavani nga komshiu lart ti do shkosh dhe do ti trokasësh në derë. Edhe për Shqipërinë, në momentin që nuk do t’u krijojë probleme për stabilitetin në rajon, deri në momentin që do jetë një Shqipëri stabile, sigurisht që ndërkombëtarët do të kërkojnë që ta ruajnë këtë lloj stabiliteti. Në momentin që Shqipëria do të fillojë të lëvizë, normal që do të duan të krijojnë një lloj lëvizje. Por ajo që të bën përshtypje është që stabiliteti i një qeverie e cila 7% të buxhetit të shtetit e shpërndan të koncensionarët, është varfëri e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.


Sipas saj, kjo situatë që ne gjendemi, është një situatë që për ndërkombëtarët sot për momentin nuk ndihet, por do të ndihet në momentin që do të hapen negociatat, ndërsa për Shqipërinë sot ndihet.


“Ndihet në asfiksimin e shoqërisë shqiptare, në mungesën , ndihet në ekonomi sepse mjafton të shohësh rritjen ekonomike që është përgjysmuar, tregon që ekonomia shqiptare po rrënohet çdo ditë dhe më shumë, po monopolizohet çdo gjë dhe po të shkosh në tryezat e shqiptarëve do të shohësh që atë pagë që kanë marrë 6 vjet më parë, marrin po të njëjtën pagë por është rritur çmimi i energjisë elektrike,është rritur çmimi i ujit, janë rritur çmimet e ushqimeve të shportës etj. Kështu që automatikisht shqiptarët janë më të varfër, konsumojnë më pak ushqim në tryezat e tyre, konsumojnë më pak para për shkollimin e fëmijëve , konsumojnë më pak para për standardin e jetesës, ndërkohë që qeveria arkëton më shumë taksa nga të varfrit dhe nuk arkëton absolutisht asgjë nga të pasurit.
Po ashtu në publik SPAK konceptohet si një strukturë e cila po tmerron politikanët, prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar. Kjo është arsyeja e ngërçit politik që po përpiqet të krijojë opozita, pra frika nga SPAK-u”, tha kryetarja e LSI-së.

Ajo shtoi se ngritjen e SPAK nuk e ka në dorë opozita, duke folur për një luftë mes tre politikanëve të së majtës edhe për emrin e Prokurorit të Përgjithshëm. “Çfarë ka në dorë për ta ngritur SPAK-un opozita, sepse atë e ngre Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo opozita. Kë do votojë opozita, prokurorët? KLP ka një vit që është ngritur, që vjet në shkurt dhe akoma nuk ka zgjedhur Prokrurorin e Përgjithshëm, sepse kanë luftë midis Ëngjëll Agacit, Ulsi Manjës, Fatmir Xhafës se kush do të zgjidhet Prokuror i Përgjithshëm. Më thoni një njeri që ka në KLP që propozon opozitaqë do të zgjedh edhe Prokurorin e Përgjithshëm edhe SPAK-un?
SPAK-un dhe Byronë e Hetimit e zgjedh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ky është mashtrim dhe një demagogji që bëhet. Më thoni një njeri në grupin e Vetting-ut që ka opozita? Asnjë! Më thoni një prokuror ose një gjyqtar në 15 vite jetë të LSI-së, që është propozuar nga ne në të gjitha proceset e zgjedhjeve që kanë qenë nga Parlamenti. Zero, asnjë propozim, sepse kemi bindje. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur. Vetëm një sistem drejtësie i pavarur ndërton një shtet të fortë. Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, edhe pse ne të gjithë njihemi me njëri-tjetrin, ne na duhet një sistem i pavarur.
Të jeni të bindur që çdo politikan, të paktën flas për LSI, që ka pasur probleme me drejtësinë, nuk do të pengohet nga LSI por përkundrazi do të inkurajohet që të përballet me drejtësinë, por SPAK-u nuk mund të përdoret kurrë si kamxhik për luftë politike. Sepse sot luftën politike më të madhe e bëjnë qytetarët shqiptarë. Janë ata që të gjykojnë me votë dhe ajo është drejtësia më e madhe. Çdo drejtësi politike do të bëjë hero çdo njeri që do të gjykohet për politikë dhe i vetmi gjykim sot janë qytetarët me votë. Kush do drejtësinë e vërtetë, të shkojmë në zgjedhje, të dalim të gjithë në mënyrë të barabartë, ti japim shansin qytetarëve, ai është gjyqi më i mirë për çdo politikan shqiptar. Gjyqi më i mirë për politikanët shqiptarë sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pastaj gjyq politik, gjyq mediatik, gjyq të pandershëm ka sa të duash. Në fund të fundit gjykimin tonë përfundimtar nuk na ë bëjnë as politika, as ambasadat, as gjyqtarët, as prokurorët, por Zoti lart”, deklaroi kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

(BalkanWeb)