Kryetarja LSI-së, Monika Kryemadhi po zhvillon një takim me ambasadorin britanik z. Duncan Norman. Takimi po zhvillohet në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në fokus mendohet të jetë situata politike.

Takimi mes tyre vjen kur na ndajnë 4 ditë nga zgjedhjet vendore. Nga njëra anë, mazhoranca ka shprehur vendosmërinë për të vijuar me zhvillimin e zgjedhjeve, përkundër vendimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh. Në anën tjetër, opozita e bashkuar joparlamentare, ku bën pjesë dhe LSI ka bërë të ditur se do të vijojë me aksionin opozitar, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ndërkohë, dy ditë më parë Kolegji Zgjedhor në unanimitet vendosi të rrëzonte kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për t’u çregjistruar nga gara elektorale, duke lënë në fuqi 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Takimet mes diplomatëve të huaj të akredituar në Tiranë dhe liderëve politikë të vendit, kanë qenë të shpeshta përgjatë dy javëve të fundit, për shkak të klimës së polarizuar politike në prag të zgjedhjeve të së dielës. Po sot, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar drejtuesen e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR Audry Glover. Në fokus ka qenë situata politike dhe 30 qershori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb