PRISHTINË- Deputetja e LSI, Monika Kryemadhi në fjalën e mbajtur në seancën e përbashkët parlamentare me deputetet e Kosovës në kuadër të 8 marsit, deklaroi se “shoqëria nuk duhet të fokusohet tek numrat por tek forca që një grua ka në Kuvend”. Ajo ka thënë se tashmë ka ardhur koha që gratë deputete të hapin shpirtin dhe të pranojnë më shumë vajza të reja në politikë.

“Unë për herë të parë festoj jashtë Shqipërisë 8 marsin dhe nuk mendoja se do vija në Prishtinë pasi për ne dikur Prishtina ishte vendi më i largët. Ne kemi vetëm kufij konfidencial. Mua më pëlqen familja dhe të qenit tradicionale. Nuk më pëlqen të them që ne duhet të jemi lidere, sepse ne kemi ndonjëherë nevojë që burrat të luftojnë për gratë. I kemi kuotat por megjithatë nuk është problemi tek numrat por tek forca. Gruaja duhet të jetë e fortë. Misioni ynë është që sot ti krijojmë grave dhe vajzave mundësinë për më shumë pjesëmarrje në politikë. Më pëlqejnë gratë politikane të Kosovës sepse kur një deputete grua ofendohet ato largohen të gjitha, ne nuk jemi ende në këtë pozitë por jemi në rrugë të mbarë. Nuk dua që network-u ynë të mbetet vetëm në atë të politikës sepse ne kemi në çdo profesion gra shumë të mira. Unë propozoj të mos jemi vetëm politikane në këtë sallë por edhe të profesioneve të tjera. Unë do të dëshiroja që të kishte më shumë vajza në forumet tona politike. Ne duhet të hapim shpirtin që të pranojmë më shumë vajza në politikë për ti bërë politikat më paqësore dhe më mendjendritura. Dua që nga kjo seancë mesazhi të jetë i qartë që të gjitha gratë të jenë të përfshira në jetën sociale e politike të vendit”, tha Kryemadhi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: