Në një takim me strukturat e LSI-së në njësinë bashkiake nr. 11 në Tiranë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ftoi ata dhe gjithë shqiptarët në protestën e nesërme të opozitës. Por ndryshe nga herët e tjera, ku një gjë e tillë nuk është përmenduar, Kryemadhi i ka ftuar protestuesit të shmangin aktet e dhunës.


Ajo i fton ata të bëhen pjesë e një proteste paqësore, pasi beteja e tyre, siç thotë, bëhet për të rrëzuar regjimin e kalbur.



“Mos ndaloni në asnjë moment, por njoftoni miq, shokë, komshinj, familjarë, të jemi të gjithë nesër në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 19.00. Edhe pse është muaji i Ramazanit ku shumë shqiptarë agjërojnë, që ua bëftë Zoti dritë dhe t’u falë atyre mundimet, por të na falë mëkatet edhe ne të tjerëve që i kemi dhënë pushtetin Edi Ramës dhe atë pushtet e ka kthyer në të kundërt të shqiptarëve, prandaj do të jemi të gjithë për të treguar që ne do marrim përsipër çdo gjë që ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Do të marrim përsipër çdo përgjegjësi që shpëton dhe çliron shqiptarët nga kapja e krimit të organizuar. Do të jemi në ballë të çdo proteste ku shqiptarët duan të jenë qytetarë të lirë të BE-së.
Beteja jonë nuk është me Edi Ramën dhe grupin e tij, por është për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Beteja jonë është hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Beteja jonë është që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve. Për një ekonomi të zhvilluar, për një arsim më të zhvilluar, për shëndetësi më të mirë, për taksa të ulëta, për barazi dhe për shërbim ndaj qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, pa dallim krahine dhe pa dallim besimi fetar.
Prandaj nesër mos ndaloni dhe nëpërmjet jush i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë, nesër atje. Protestat tona paqësore të cilat janë protestat më të bukura që ka pasur Shqipëria në gjithë vitet e saj të tranzicionit, janë protesta të cilat do të sjellin ndryshimin.
Ju bëj thirrje që të mos përfshiheni në dhunë, por të distancoheni nga ajo, edhe pse njerëzit janë të mërzitur dhe të frustruar dhe ju ka ardhur aty ku nuk mban më, nuk është detyra jonë të bëjmë viktimë Edi Ramën dhe nuk është detyra jonë as të dëmtojmë godinat. Detyra jonë është të rrëzojmë sistemin e kalbur që Edi Rama me krimin e organizuar ka ndërtuar”,- tha Kryemadhi.

Ajo tha se nesër opozita do protestojë bashkë me policët. “Ata policë që kemi përballë t’i konsiderojmë si vëllezërit tanë, sepse ata kanë paga të ulëta dhe ata paguajnë taksat njëlloj si ne. Ata paguajnë energjinë elektrike me çmim në stratosferë njëlloj si ne, paguajnë faturën e ujit njëlloj si ne. Ata kanë nevojë për shërbim mjekësor njëlloj si ne dhe marrin shërbimin shëndetësor më të shtrenjtë në rajon. Ata kanë nevojë të shkollojnë fëmijët e tyre. Ata kanë nevojë të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në Shqipëri.
Prandaj nesër në protestë nuk do të jemi vetëm. Do të jenë dhe policët bashkë me ne. Edhe pse do të jenë në krye të detyrës, ne do të protestojmë për të gjithë policët, për të gjithë mjekët, për të gjithë administratën publike, për të gjithë shqiptarët që Edi Rama i kërcënon me bukën e fëmijëve.
Ne do të protestojmë nesër për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë krimin e organizuar që ka fytyrën e Edi Ramës dhe të Rilindjes.
Zoti ju ruajt ju, Zoti ruajt familjet tuaja. Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”,- vijoi Kryemadhi.

(m.a/BalkanWeb)