DURRËS

Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral me qytetarët e Durrësit tha se zgjedhjet e 30 qershorit janë të qytetarëve shqiptarë. Si në çdo takim tjetër, shefi i qeverisë sulmoi opozitën, ndërsa iu përgjigj deklaratave të tyre se në “30 qershor do bëhet nami”.

Ai tha se mbështetësit e opozitës do ta realizojnë thirrjen e tyre “Rama ik”, por vetëm për këtë takim pasi do të lë Durrësin për t’u kthyer në kryeqytet.

“Mund të duan që unë të iki. Atë thirrjen “Rama ik” ata do ta realizojnë sepse unë do të iki në Tiranë. Ne nuk jemi të rënë nga qielli. Kemi bërë shumë punë, por e kemi bërë edhe gabime. Kemi bërë edhe kusure. Dilni në fushë dhe na mundni me votë. Të dyja palët do të fitojnë. Ne do të fitojmë, sepse zgjedhjet do të bëhen. Zgjedhjet nuk ka për t’i marrë peng askush. Do dalë Luli dhe do të thotë fitore dhe do të numërojë ata që janë jashtë shtetit dhe ata që shkojnë në plazh. Rëndësi ka për ne se në 30 qershor do të zgjedhim jo thjesht kush do jenë krerët e bashkive, por do të fitojë populli duke i vënë kufirin çdo politikani që kalon cakun. Partitë politike i kanë rënë shkurt dhe popullit i ka dalë gjatë. Ata bëjnë si trima të mëdhenj. Këta vijojnë dhe bërtasin dhe përbetohen se këtu do të bëhet nami dhe po iu them  se ata  kanë frikë të madhe dhe i bërtasin  frikës së vet njësoj si tek filmi “Beni ecën vetë”. Ata do të treten nga frika e tyre”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: