Deputeti konservator në parlamentin britanik, Philip Lee, ka zënë vendin e tij në ulëset e opozitës, që sipas mediave britanike, do të thotë se kryeministri britanik, Boris Johnson, ka humbur shumicën në parlament.


“Qeveria konservatore po e vazhdon në mënyrë agresive procesin e Brexit-it me pasoja të dëmshme. Ai po rrezikon kërcënon padrejtësisht integritetin e Britanisë së Madhe”, tha Lee pasi u bashkua me radhët e opozitës në parlament.


Kryeministri, Boris Johnson, u tha deputetëve se ai dëshironte një dalje të negociuar nga Bashkimi Evropian (BE). Ai shtoi se planet e deputetëve për të miratuar legjislacionin që bllokon daljen pa marrëveshje më 31 tetor “shkatërrojnë çdo mundësi për të negociuar një marrëveshje të re”, shkruan Rel.


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu tha se vendi do të largohej nga BE deri më 31 tetor “në të gjitha rrethanat”. “Nuk do të ketë më vonesë të pakuptimtë”, shtoi Johnson.

Johnson tha gjithashtu se nëse Parlamenti miraton legjislacionin që kërkon nga ai të shkojë në Bruksel, dhe të kërkojë një zgjatje të afatit të Brexit-it, ai do të veprojë ashtu, sipas ligjit.

Sipas një projektligji të përgatitur nga opozita dhe deputetët e pakënaqur të Partisë Konservatore në pushtet, kryeministri do të duhej të kërkonte shtyrjen e Brexit-it deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, përveç nëse deputetët miratojnë një marrëveshje të re me BE-në ose votojnë për Brexit-it pa marrëveshje. /Rel/