Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka mohuar se e ka gënjyer Mbretëreshën Elizabetë gjatë këshillave që i dha asaj, lidhur me pezullimin pesë-javor të parlamentit.

Kryeministri i bëri deklaratat pasi Gjykata më e lartë civile skoceze vendosi të mërkurën, se mbyllja e parlamentit ishte e paligjshme. I pyetur nëse e kishte gënjyer Mbretëreshën Elizabetë në lidhje me arsyet e tij të pezullimit, ai u përgjigj: “absolutisht jo”.

Kompetencat për të pezulluar punën e parlamentit i përkasin Mbretëreshës, e cila vepron sipas këshillës së kryeministrit. Pezullimi aktual pesë-javor filloi në orët e para të së martës, dhe deputetët nuk do t’i kthehen seancave deri më 14 tetor.

Vendimi për pezullim të punës së parlamentit ka ardhur teksa Britania ka 31 tetorin datë për largim nga Bashkimi Evropian. Ligjvënësit britanikë i kanë kërkuar Johnsonit që t’i kërkojë BE-së shtyrje të datës për Brexit, nëse nuk miratohet ndonjë marrëveshje për kushtet e divorcit deri në fund të muajit tetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb