“Punët që na presin janë të rëndësishme dhe urgjente, nisim menjëherë që sot”. Keir Starmer ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Downing Street. Ai mbërriti në rezidencën qeveritare i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Victoria. Dyshja përshëndetën mbështetësit që ishin mbledhur jashtë zyrës zyrtare të kryeministrit që njihet si “Numri 10”, përpara se të mbante fjalimin e parë zyrtarisht si kryeministër.

Starmer falënderoi ish-kryeministrin konservator Rishi Sunak, përpara se të fokusohej në atë se si Partia Laburiste do të sillte “ndryshimin” në Britaninë e Madhe.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Starmer tha se do të jetë kryeministër i të gjithëve, përtej dallimeve partiake. “Pavarësisht nëse keni votuar laburistët apo jo – në fakt veçanërisht nëse nuk e keni votuar – ju them drejtpërdrejt, qeveria ime do t’ju shërbejë.

“Politika mund të jetë një forcë që shërben për mirë, këtë do ta tregojmë. Partinë Laburiste e kemi ndryshuar, e kemi kthyer në shërbim të qytetarëve – kështu do të qeverisim. Vendi i pari, partia e dyta”, deklaroi ai.

Kryeministri i ri vijoi duke folur për nevojën e një fillimi të ri. “Nëse jam i sinqertë, shërbimi është thjesht një parakusht shprese dhe është sigurisht e qartë për të gjithë se vendi ynë ka nevojë për një rifillim dhe një rizbulim të asaj që jemi. Sepse pavarësisht se sa të ashpra janë dallgët e historisë, një nga pikat e forta të këtij kombi ka qenë gjithmonë aftësia jonë për të lundruar drejt ujërave më të qeta”, vijoi Starmer duke shtuar se aftësia për ta bërë këtë “varet nga politikanët, veçanërisht nga ata që qëndrojnë për stabilitet dhe modernitet, siç bëj unë”.  

Kryeministri britanik tha më tej se kombi ndjehet i lodhur nga politika dhe politikanët dhe se nevojitet një zgjim.

“Kur hendeku midis sakrificave të bëra nga njerëzit dhe shërbimit që ata marrin nga politikanët rritet kaq shumë, kjo çon në lodhje në zemrën e një kombi, një shterim të shpresës, shpirtit, besimit për një të ardhme më të mirë”.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb