Nuk ka fakte që tregojnë për ndonjë shkelje të rëndë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjeorgji, pavarësisht akuzave të opozitës për manipulim, tha kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobakhidze.
“Në realitet, nuk ka fakte që tregojnë se mund të ketë shkelje të rënda, e lëre më manipulim gjatë këtyre zgjedhjeve”, tha Kobakhidze në një intervistë për kanalin televiziv Imedi.
Sipas tij, pretendimet për inekzistencë të manipulimit të votave ishin shansi i vetëm i opozitës për t’u shpjeguar mbështetësve humbjen elektorale. Përpara zgjedhjeve, liderët e opozitës pohuan se partia në pushtet gëzon mbështetjen e vetëm 30-35% të votuesve.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Gjeorgji më 26 tetor. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane-Gjorgjia Demokratike mori 53.93% të votave. Si fitues, ajo ka të drejtë të formojë vetë qeverinë. Katër parti opozitare kaluan pragun e pesë për qind: Koalicioni për Ndryshim kishte 11%, Uniteti-Lëvizja Kombëtare — 10,16%, Gjeorgjia e Fortë — 8,8%, dhe Gakharia për Gjeorgjinë — 7,76%.
Të gjitha partitë opozitare që kanë hyrë në parlament refuzojnë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe po ashtu edhe presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili. Sipas saj, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të manipuluara dhe në realitet opozita ka marrë më shumë vota se partia Ëndrra Gjeorgjiane dhe për këtë arsye ka shumicën e vendeve në parlament.
(A.A/BalkanWeb)