Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediat hodhi akuza të rënda në drejtim të maxhorancës.
Berisha tha se kryeministri Rama ka përdorur disa telefona të koduar. Sipas tij, me Sky Ecc janë porositur krime kundër opozitës. Berisha tha se Jurgis Çyrbja u bë deputet në parlament për të përfaqësuar interesat e klanit Avdylaj.
Sali Berisha: Rama ka ngrënë dardhat e Çyrbjës. Rasti Çyrbja implikon kryeministrin. Në Shqipëri, vendimet merren nga krimi. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse ka ngrënë dardhat e një njeriu, që përfaqësonte klanin më të rrezikshëm. Mos harroni se Çyrbja nuk është peshku i madh. Klani Avdylaj çoi në parlament Çyrbajn. Rama me McGonigal me Sky Ecc kanë porositur krime kundër opozitës. Rama ka përdorur disa telefona të koduar.
Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha:
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm aty dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim me shtypin.
Sot jam para jush për të kërkuar publikisht dorëheqjen e menjëhershme të kreut të krimit të organizuar shqiptar në pushtet, Edvin Kristaq Ramës, i cili është autor kryesor i ndërtimit me angazhimin e tij direkt të piramidës më të madhe të krimit në Europë, piramidës më të madhe shtetërore të krimit në Europë.
Zonja dhe zotërinj, të dhënat e bëra publike sot nga mediat për ish-deputetin kriminel, Çyrbja, implikojnë direkt kreun e qeverisë së krimit, Edi Rama.
Sepse është direkt Edi Rama njeriu që ka ngrënë dardhat e Çyrbjes.
Jurgis Çyrbja, i njohur botërisht si përfaqësuesi i klanit mafioz Avdylaj, ka shpërblyer Edi Ramën së bashku me Avdylajn me tonelata dardha të krimbura.
Ka dërguar dy herë mandatin e tij në parlament.
Rasti Çyrbja është rasti që fakton në mënyrën më të pakundërshtueshme faktin se në Shqipëri vendimmarrës numër 1 është krimi dhe vetëm krimi.
Familja mafioze Avdylaj jo vetëm kandidoi Çyrbjen si përfaqësues të vetin në parlament, por i diktoi Edi Ramës, i cili kryesoi listën e Durrësit në zgjedhjet e fundit, ta vendosë atë pikërisht burrin e dytë në listë pas vetes, apo të tretin pas një zonje që e detyronte ligji.
Pra, kemi të bëjmë me diktatin e plotë të klanit mafioz Avdylaj, jo vetëm për futjen në listë, por dhe renditjen në dytë pas Edi Ramës të gjinisë mashkullore në listën e Durrësit.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen e mënjehershme sepse ka ngrënë dardhat e një njeriu që strehonte, që fshihte vrasësin e Prengës.
Mos harroni se Çyrbja nuk është peshku i madh, jo, jo.
Peshqit e mëdhenj janë sipër fare. Peshkaqeni është Edi Rama sepse i dëgjoj sot Çyrbja në SKY ECC ka thënë këto e ato, por sot është e faktuar, e vërtetë në dritën e diellit, se Edi Rama me kriminelin McGonigalin, me SKY ECC, ka porositur krime kundër opozitës.
Se Edi Rama ka pasur jo një, por më shumë se një telefona të koduar.
Sot është e faktuar dhe mediat belge e kanë bërë publike emrin e tij, si një bashkëpunëtor i bandave më të rrezikshme shqiptare në Europë dhe në botë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sot sepse ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj ka vërtetuar se nga zyra e tij bëhet koordinimi i bandave, se në zyrën e tij priten bosët kryesorë të shtëpive mafioze, nga ata të Sinaloas dhe të tjerë me radhë.
(Balkanweb)