Kryeministri i ri i Kanadasë Mark Carney do të shpallë të dielën mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 prill, tha një burim qeveritar për AFP të enjten.

Zëvendësuesi i Justin Trudeau, i cili mori detyrën javën e kaluar, po udhëheq një qeveri të pakicës dhe po kërkon të fitojë shumicën në Parlament me Partinë e tij Liberale, në një kohë kur vendi është tronditur nga tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partia Liberale në pushtet po mbështetet në përvojën e Carney si bankier qendror për të siguruar kanadezët përballë një lufte tarifore me Shtetet e Bashkuara, e cila kërcënon të trondisë ekonominë.

60-vjeçari Carney, pa përvojë në politikë dhe që nuk ka shërbyer kurrë si deputet apo ministër, po thirret të bëjë fushatë nën hijen e kërcënimeve të Trump.

Presidenti amerikan, i cili filloi një luftë tregtare me fqinjin e tij duke vendosur tarifa, vazhdon të përsërisë se “e vetmja gjë logjike” që Kanadaja të bënte do të ishte bashkimi me SHBA.

Kërcënimet e Trump kanë dominuar skenën politike kanadeze prej javësh dhe pritet të jenë në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb